Ambasadori i BE-së


Prishja e konsensusit alarmon ndërkombëtarët. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, ka shtyrë dje takimin e planifikuar me ish-kryeministrin Nano, i cili është kandidat për president, për shkak se është zhvilluar një takim i rëndësishëm i diplomatëve të Perëndimit të akredituar në Tiranë. Takimi i planifikuar për dje është shtyrë për shkak të axhendës së ngjeshur të ambasadorit Sequi. Ky takim do të zhvillohej në vazhdën e konsultimeve që ish-lideri i PS-së, Fatos Nano, dëshiron të bëjë edhe me faktorin ndërkombëtar. Më herët, Nano është takuar me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili e ka vlerësuar Nanon si kandidat serioz. Dje, Nano është takuar edhe me kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule, ku mori edhe mbështetjen e këtij të fundit. Ai është takuar më herët edhe me kreun e LSI-së, Ilir Meta, kreun e PS-së, Edi Rama, kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ndërsa pritet dhe një takim me Kryeministrin Berisha.