Deputetja e PS, Bora Muzhaqi, ka reaguar pas deklaratave të eurodeputetes gjermane Jutta Paulus, e cila publikoi një e-mail të ligjvënësve shqiptarë lidhur me çështjen e Zvërnecit.

Në një postim në rrjetet sociale, Muzhaqi shprehet e habitur nga qëndrimi i eurodeputetes, duke theksuar se ajo ka ardhur në Shqipëri dhe i është bashkuar protestave, pa pasur më parë vizita të tjera në vend.

Sipas Muzhaqit, qëllimi i komunikimit të saj dhe i kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla nuk ka qenë kundërshtimi i mbrojtjes së mjedisit, por kërkesa për të mos mbështetur amendamente të bazuara, sipas saj, në pretendime që nuk përputhen me faktet.

Ajo thekson se debati duhet të mbetet brenda kornizave të së vërtetës dhe bashkëpunimit institucional, duke shmangur interpretimet e gabuara mbi qëndrimet e deputetëve shqiptarë.

Reagimi i Bora Muzhaqi:

Është për të ardhur keq që një anëtar i nderuar i Partisë së Gjelbër në Parlamentin Europian jep një shembull kaq të dobët: së pari, duke lëshuar një “sqarim” pa ofruar asnjë kërkimfalje për një pasaktësi të konsiderueshme faktike, dhe së dyti, duke pretenduar se ne në një farë mënyre jua kemi keqinterpretuar situatën.

Të udhëtosh për të protestuar në një vend që nuk e ke vizituar kurrë më parë, të akuzosh qeverinë e tij për gjëra që janë thjesht të pavërteta dhe më pas ta trajtosh refuzimin tënd për t’u angazhuar me informacionin faktik të përmbajtur në emailin tonë si një medalje nderi nën sloganin “Ligji evropian nuk është në shitje” është, sinqerisht, një gabim mjaft i trishtueshëm në gjykim dhe stil politik.

Ne nuk ju kërkuam të votonit kundër mbrojtjes së mjedisit. Ne ju kërkuam të mos mbështesnit amendamentet e bazuara në pretendime që nuk korrespondonin me faktet. Debati demokratik ndërtohet mbi fakte, jo mbi narrativa që nxisin propagandën kundër të tjerëve. Shpresoj sinqerisht që ky shkëmbim mendimesh ju inkurajon të rishqyrtoni marrëdhënien tuaj me të vërtetën e këtij rasti dhe të ndaloni së zhvilluari betejën mjaft absurde kundër vetë fakteve.