Sipas një raportimi të Euronews, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Shqipëria i ka dhënë garanci Brukselit se projekti turistik me vlerë rreth 1.4 miliardë euro, i lidhur me biznesmenin amerikan Jared Kushner, do të zbatohet në përputhje me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian.
Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, deklaroi se autoritetet shqiptare kanë siguruar Komisionin se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se projekti do të respektojë legjislacionin evropian në këtë fushë.
“Ne kemi marrë garanci nga qeveria e Shqipërisë se do të bëhet një vlerësim i plotë mjedisor dhe se standardet evropiane do të respektohen”, u shpreh Kos.
Projekti luksoz, i vlerësuar në mbi 1.4 miliardë euro, ka ngjallur debat dhe protesta në vend, pasi parashikohet të zhvillohet në një zonë me rëndësi të veçantë ekologjike në bregdetin e Adriatikut.
Më herët, përfaqësues të Komisionit Evropian u kanë kërkuar autoriteteve shqiptare të veprojnë me kujdes dhe pa vonesa, për të shmangur çdo ndikim të mundshëm në procesin e integrimit evropian të vendit.
Komisionerja Kos theksoi gjithashtu se e drejta për të protestuar është një liri themelore në Bashkimin Evropian dhe në vendet kandidate për anëtarësim, duke nënvizuar se procesi i integrimit bazohet në monitorim të vazhdueshëm dhe respektim të rregullave dhe standardeve evropiane.
