
Zbardhet letra e një prej familjarëve të dy fëmijëve Eva dhe Endrit Dumanit, të cilët janë të bllokuar prej 6 vitesh në kampet në Siri, raporton ‘Report TV’
Mide Dumani, nëna dhe Xhetan Ndregjoni, daja i fëmijëve i janë drejtuar kryeministrit Rama me një letër duke i kërkuar riatdhesimin e tyre nga kampi Al-Hol.
Babai i fëmijëve i mori ata 6 vite më parë dhe u largua në Siri ku më pas ai ndërroi jetë gjatë luftimeve. Një përpjekje për të sjellë fëmijët në Shqipëri bëri dhe gjyshja e tyre, Metije Dumani e cila shkoi në kampin Al-Hol në Siri.
Por fatkeqësisht pas disa kohësh ajo ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë duke i lënë vetëm fëmijët. Daja i Endrit dhe Eva Dumanit shkruan se ka pasur kontakte nëpërmjet telefonit me ta. ‘Report TV’ ka siguruar një prej mesazheve të Eva Dumanit që i ka dërguar dajës së saj në orën 1:10 pas mesnate.
E mitura i thotë dajës se situata në kamp është përkeqësuar por ajo së bashku me të vëllanë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Në përgjigje të kërkesës së Xhetan Ndregjoni, përfaqësues nga kryeministria i kanë thënë se çështja është marrë në shqyrtim, por nuk është vetëm në dorën e qeverisë shqiptare.
“Jemi marrë me çështjen e këtyre njerëzve dhe nuk e kemi në dorë ne! Është shumë e ngatërruar me shtetet e tjera”, përgjigjet përfaqësuesi i kryeministrisë.


