Situata e zjarrit në territorin e fshatit Gojan i Madh në Pukë është përkeqësuar ndjeshëm, duke paraqitur rrezik të drejtpërdrejtë për banorët. Për këtë arsye, Kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj, ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të zonës. Banorët do të evakuohen në mënyrë të koordinuar nga strukturat e emergjencave, Policia, MZSH dhe autoritetet vendore. Prioritet në evakuim kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zonat më të rrezikuara.

Në terren janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse me 19 efektivë të MZSH Pukë dhe Fushë-Arrëz, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca bashkiake dhe 30 vullnetarë. Operacioni mbështetet gjithashtu nga 40 efektivë të Forcave të Armatosura, një automjet zjarrfikës dhe tre helikopterë të FA-së. Ndërhyrja nga ajri vijon aktualisht me helikopterë, ndërsa forcat në terren po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.

Njoftimi i kryebashkiakut:

Në zbatim të: Ligjit Nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”; Planit Kombëtar të Emergjencave Civile; si dhe Planit Vendor të Emergjencave Civile të Bashkisë Pukë, si pasojë e situatës kritike të krijuar nga përhapja e zjarrit masiv në territorin e fshatit Gojan i Madh, Njësia Administrative Gjegjan, dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe pronën e banorëve, urdhërohet kryerja e evakuimit të menjëhershëm të banorëve të kësaj zone.

Evakuimi do të realizohet në koordinim të plotë me:

Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC);

Prefektin e Qarkut Shkodër;

Strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Pukë;

Policinë e Shtetit (Komisariatin e Policisë Pukë);

Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH Pukë).

Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë. Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren dhe Shtabit të Emergjencave Civile.

Prioritet në procesin e evakuimit kanë:

Fëmijët dhe foshnjat;

Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike;

Personat me aftësi të kufizuara;

Familjet e mbetura në zona të izoluara apo me rrezikshmëri të lartë përfshirjeje nga flakët.

Sistemimi dhe Akomodimi:

Të gjithë banorët e evakuuar nga fshati Gojan i Madh do të akomodohen në ambientet e përgatitura të Konviktit “Ali Bytyçi” Pukë, ku janë marrë masat për strehim të sigurt, ushqim dhe shërbim mjekësor.

Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga:

Mjetet logjistike të Bashkisë Pukë;

Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH Pukë);

Policia e Shtetit;

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (nëse kërkohet mbështetje shtesë).

Menaxhimi i strehimit të të evakuuarve dhe asistenca për qytetarët do të realizohet nga Bashkia Pukë, në bashkëpunim me:

Policinë e Shtetit;

Njësinë e Kujdesit Shëndetësor Pukë dhe Spitalin Rajonal;

Kryqin e Kuq Shqiptar dhe organizatat partnere të ndihmës humanitare.

Në kuadër të këtij procesi do të sigurohet:

Regjistrimi i plotë i të evakuuarve në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm në Konviktin “Ali Bytyçi”;

Administrimi dhe plotësimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen, higjienën dhe ndihmën e parë/mjekësore;

Ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës së zjarrit dhe masat në vijim për kthimin e sigurt në banesa.

Ky urdhër ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë!

KRYETARI I BASHKISË PUKË

Rrok DODAJ