Gjatë paradites së sotme ka vijuar monitorimi në terren nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit, për lirimin e hapësirave publike nga parkimet e zëna padrejtësisht, si dhe për parandalimin e rizënies së atyre hapësirave që janë liruar më parë.

Monitorimi ditën e sotme është përqendruar në territorin që mbulon Komisariati i Policisë nr. 2 në Tiranë, një nga zonat ku shfaqet problematikë e shtuar në bllokimin dhe zaptimin e hapësirave publike.

Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sulaj, ka theksuar se Bashkia e Tiranës ka evidentuar 75 vende në të cilat hapësirat shfrytëzohen për parkime kundrejt pagesës. Po ashtu, edhe në mes të lagjeve apo zonave të banuara, makina të shumta zënë vendet e parkimit të qytetarëve, parkime këto të zëna nga një individ i vetëm.

Policia Bashkiake dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, do të marrin masa që këto hapësira të zëna padrejtësisht të lirohen.

Nënkryetari Sulaj u ka bërë thirrje të gjithë subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm të parkimeve në Tiranë, që kanë dy ditë afat për t’i mbyllur në mënyrë vullnetare; në të kundërt, do të përballen me forcën e ligjit.

Ndërkohë, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues Elton Alushi, gjatë monitorimit ka theksuar se Policia e Tiranës është në proces të vazhdueshëm monitorimi dhe do të vijojë me procedimet penale ndaj kujtdo që do të tentojë të bllokojë këto hapësira.

Njëkohësisht, Drejtori i Tiranës ka bërë me dije se Policia e Tiranës ka të gjitha kapacitetet logjistike për të sekuestruar pajisjet që do të përdoren për bllokimin e këtyre hapësirave publike.

Më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, gjatë takimit që zhvilloi me drejtuesit e DVP-së dhe të komisariateve në varësi të DVP Tiranë, u kërkoi prerë që strukturat e Policisë të mos lejojnë rizënien e hapësirave publike dhe të bashkëpunojnë me bashkinë për lirimin e hapësirave që janë zënë në mënyrë të padrejtë.

Monitorimi do të vijojë pandërprerë në të gjitha qytetet e vendit për moslejimin e zaptimit të hapësirave publike të liruara më parë apo që do të tentohet të bllokohen rishtas.