Zemërimi i studentëve të këtij tetori nisi në datën 12, para Ministrisë së Arsimit. Ata drejtuan të vetmen kërkesë politike, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, kësaj here të rinjtë nuk ngritën vetëm zërin, por edhe dorën që mbante të fshehur gurin që i drejtohej institucionit të edukimit, apo bombën molotov që dogji institucionet bankare.
E gjithë kjo solli një përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. E ndërsa thirrja nuk ndryshon herët në mëngjes, pasi flakët e protestës shuhen, kryeministri Edi Rama kërkon dialog. Por kjo thirrje refuzohet sa herë që një karrige vendoset para dyerve të Kryeministrisë.
Studentët shqiptarë nuk e kanë të parën revoltë kundër shtetit.
Në dhjetor të vitit 1990, ata dolën në rrugë për të kërkuar lirinë, demokracinë dhe fundin e një regjimi që për 45 vjet kishte shtypur të drejtat e shqiptarëve. Demokracia u shkrua nga të rinjtë e asaj kohe, ku një rol të rëndësishëm mes të gjithëve pati studenti i Drejtësisë Azem Hajdari, ose i njohur ndryshe si lideri i Dhjetorit.
Pas pamjeve të dhunës, vajza e tij, Rudina Hajdari, u kërkoi protestuesve të pranojnë ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog. Ish-anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike ka ndarë foton e të atit, Azem Hajdarit, me të rinj të tjerë në dhjetor të vitit 1990, në një takim me Ramiz Alinë. Ajo shprehet se, në një rast të tillë, do të ishte e para që do ta pranonte ftesën për dialog.
“Uluni në dialog, por me transparencë, jo pas dyerve të mbyllura. Mos i humbni këto mundësi! Unë do të ulesha e para në ato karrige dhe do të përballesha drejtpërdrejt me Ramën. Ai nuk ka si të mbrohet përballë argumenteve tuaja. I keni të gjitha argumentet për të arritur maksimumin e kërkesave tuaja.”
Sot, 36 vite më vonë, një tjetër brez ngre zërin në rrugë, këtë herë përballë një realiteti tjetër politik, por me të njëjtën kërkesë për ndryshim. Por ndryshe nga të rinjtë e së shkuarës, studentët sot refuzojnë të dialogojnë. Ndërkohë, nëse kthehemi pas në kohë, studentët e diktaturës ftesën për t’u dëgjuar nga presidenti i regjimit komunist, Ramiz Alia, e pranuan menjëherë, duke e parë edhe si të vetmen rrugë për të arritur qëllimin e tyre, demokracinë.
Në “Exclusive” në Top Channel, me Rudina Muçën, ish-pedagogu në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Arben Demeti, thotë se lëvizja studentore nuk lindi brenda një dite, por ishte rezultat i një pakënaqësie të akumuluar ndër vite, e cila u ushqye nga kriza ekonomike, mungesa e kushteve bazë dhe ndryshimet që po ndodhnin në vendet e tjera të Lindjes. Sipas tij, protestat nisën me kërkesa të thjeshta për përmirësimin e jetesës, por shumë shpejt u shndërruan në një lëvizje që kërkonte liri dhe ndryshim politik.
Ai kujton se ngujimi në Qytetin Studenti krijoi një hapësirë të re për studentët, të cilët për herë të parë mund të shpreheshin hapur dhe të artikulonin kërkesat e tyre për demokraci. Mbështetja e qytetarëve të Tiranës i dha lëvizjes një dimension më të gjerë, duke e kthyer protestën studentore në një moment vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë.
“Në fakultete kishte një lëvizje për ndryshim. Në vendet e Lindjes, sistemi komunist ishte shembur pothuajse plotësisht një vit më parë. Në dhjetor të vitit 1989 ishte ekzekutuar Çaushesku, gjë që i kishte dhënë një sinjal alarmi shumë të fortë qeverisë së Tiranës. Gjatë vitit 1990 pati disa ngjarje të rëndësishme në Shqipëri, por sidomos ajo e 2 korrikut, kur qytetarët hynë në ambasada, ishte ngjarja më kulmore, gjatë së cilës populli i Tiranës u përplas me Policinë e Shtetit. Pas datës 25 tetor, kur Ismail Kadare u largua nga Shqipëria, pati një rigjallërim të lëvizjes në fakultete.
Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike doli një proklamatë me mesazhin: ‘Nuk bëhet xhaketë e re me copë të vjetër.’ Natyrisht, situata u rëndua për shkak të kushteve ekonomike dhe atyre në konvikte. Kështu, studentët e konvikteve shpërthyen në protesta, të cilat nisën spontanisht me kërkesa si ‘Duam drita, duam ujë’ dhe më pas morën vrull.
Studentët u goditën dy herë: në mbrëmjen e datës 8 dhe në mesditën e datës 9. Aty u vendos më pas që të ngujoheshin në Qytetin Studenti. Atje organizuan një podium folësish dhe kjo ishte ëndrra e tyre, sepse më parë nuk mund të imagjinohej që të flisje për atë që mendoje, për lirinë, për të drejtat e tua dhe për ëndrrën europiane. Populli i Tiranës e mbushi sheshin dhe pikërisht këto dy-tri ditë ishin të zjarrta.
Brenda një harku të shkurtër kohor, studentët arritën të vendosnin për fatin e tyre dhe të shprehnin ëndrrën e madhe për një Shqipëri demokratike.
Ajo filloi në mbrëmjen e datës 8 dhjetor. Më 9 dhjetor pati një goditje ndaj studentëve pranë Liceut Artistik, ndërsa në mbrëmjen e datës 11 u zhvillua takimi me presidentin Ramiz Alia. Më 12 dhjetor u shpall PD-ja”, tha pedagogu.
Ai gjithashtu kujton dhe ftesën e Ramiz Alisë për dialog, ku thotë: “Ftesa erdhi paraditen e datës 11 dhjetor erdhi lajmi se presidenti Ramiz Alia kërkonte një takim. Ishte një zgjedhje shumë e zgjuar. Ne përpiqeshim të mos e shkatërronim lëvizjen, të realizonim objektivat dhe të ruanim vazhdimësinë e saj. Kjo ishte një taktikë inteligjente për kohën”.
Demeti gjithashtu u ndal edhe te protestat në ditët e sotme, ku shprehet: “Uroj që studentët të mos i ndryshojnë qëllimet e tyre për interesa të tjera. Pra, të mos përfshijnë njerëz të tjerë, sepse studentët janë më të sinqertët dhe nuk kanë interesa, por ëndrra.
Unë e kuptoj që duhet një dialog, por nevojën për një ndryshim të thellë as që e diskutoj. Duhet të gjendet një alternativë tjetër, përmes krijimit të një qeverie kujdestare për gjashtë muaj deri në një vit, e më pas të shkojmë në zgjedhje të kontrolluara nga ndërkombëtarët, në mënyrë që të kemi të gjithë bindjen se nuk duhet të shkatërrojmë atë që kemi arritur.”
Top Channel
