Kërkimet për gjetjen e 30-vjeçarit Armando Abdullaj nga qyteti i Korçës, i cili rezulton i zhdukur që prej tri javësh, nuk kanë pasur ende asnjë rezultat. Edhe pse tashmë emri dhe fotografia e të riut janë bërë të njohura për opinionin publik, asgjë nuk është konkretizuar në lidhje me fatin e 30-vjeçarit. Familjarët, të cilët dyshojnë së 30-vjeçari mund të jetë rrëmbyer, tregojnë se kanë vijuar edhe vetë kërkimet, por pa asnjë rezultat. Ata i bëjnë apel Policisë së Korçës të intensifikojë kërkimet. “Me gjithë përpjekjet e familjes që janë në kërkim ditë për ditë dhe në kërkimin e policisë nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Deri kur do vazhdojë, ka tri javë që djali më ka ikur. Ju lutem të punojnë pak më shumë, që të bëjnë të mundur gjetjen e djalit”, shprehet nëna e 30-vjeçarit. Burime zyrtare nga policia e Korçës bëjnë të ditur se hetimet për gjetjen e të riut vazhdojnë, duke u përqendruar te një rrëmbim i mundshëm, pasi 30-vjeçari prej kohësh jepte para me fajde te persona të tjerë.