Fiks Fare denoncoi tentativat për të mbuluar përgjegjësit e shembjes së Unazës së Madhe të Burrelit, një vepër infrastrukture që kushtoi 1.3 milionë euro, por që u shemb në 5 vende të ndryshme enda pa u inauguruar.
Grupi i emisionit investigativ udhëtoi në Burrel, pas shqetësimeve të banorëve të cilët ankohen se disa kohë më parë u bë një rrugë, por që nuk zgjati shumë.
“Kur pritej hapja e Unazës së Burrelit, një pjesë e mirë e atij segmenti u shemb. Shembja ndodhi në muajin nëntor të vitit 2025, ndërkohë që aktualisht është e pakalueshme” thotë një banor. Kamera e Fiks Fare vëzhgoi të gjithë gjatësinë e atij segmenti, i cili kishte plot 5 shembje të mëdha në 5 vende të ndryshme. Pra, pothuajse shembja ka ndodhur në gjithë pjesën e rrugës.

Në një pjesë shembja kishte ndodhur deri në gjysmën e trupit të rrugës, në një vend ka lëvizur i gjithë tabani i segmentit. Ndërkohë në një vend tjetër kishte rrëshkitje të kodrës dhe dherat kanë zënë gjysmën e rrugës. Në një pjesë tjetër e gjithë rruga ishte fundosur.
Një banor i zonës tregon se kur ka ndodhur shembja dhe se punimet e këqija kanë sjellë çedimin e të gjithë segmentit. Ai thotë se rruga ka qenë ekzistuese, por në gjendje të pakalueshme dhe u bë kjo ndërhyrje. Tani s’kalojmë dot. Fiksi filmon disa tufë me bagëti, dele, dhi e lopë që kalojnë tani në atë segment. Barinjtë thotë se të paktën kalojnë bagëtitë, por sërish me vështirësi.

Por sa kushtoi ai segment, kush e ndërtoi dhe kush do t’a rindërtojë?!
Në hyrje të rrugës qëndron një tabelë; Autoriteti Rrugor Shqiptar, objekti i punimeve është sistemim asfaltim rrugët e drejtorisë së Rajonit Verior Shkodër, Unaza e Madhe në Burrel.

Punimet do të zgjasnin 6 muaj, ndërkohë që vlera e kontratës është 128 milionë lekë me TVSH. Sot, rreth 1.3 milionë euro. Projektuesi i segmentit është firma “Arabel Studio”, ndërkohë ndërtuesi i segmentit është “Ulza” shpk, dhe mbikëqyrësi është z. Nikollaq Mihali, drejtor në ARRSH dhe firmat “Leni Ing” dhe “Angerba”.

Segmenti do të hapej në fund të vitit 2025, teksa firma ndërtuese po tentonte që t’a kolaudonte. Por, në nëntor ndodhi shembja dhe aktualisht Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk e mori
Në kantier është edhe një punonjës i firmës Ulza, i cili thotë se firma e ndërtimit ka bërë punimet, por shirat që ndodhën në vjeshtën e vitit të kaluar sollën edhe shembjen. Pohon se ai vetëm sa ruan dhe paralajmëron mjetet që të mos kalojnë.
Ndërkohë, Fiks Fare ka mësuar se Autoriteti Rrugor Shqiptar, në vend që të gjente “fajtorët”, projektuesin, ndërtuesin apo mbikëqyrësin, hap një tjetër procedurë me objekt “Masa inxhinierike Unaza Burrel”, me fond limit 90,833,340 lekë, ose 950 mijë euro. Rreth 70 % e fondit limit.

Pas kësaj problematike, Fiks Fare intervistoi administratorin e firmës Ulza shpk, Nikolin Shpani. Ai thotë se firma e tij mori pjesë dhe e fitoi procedurën që ishte pak më shumë se 1 milionë euro. Fiksi e pyeti nëse rruga ishte kolauduar dhe dorëzuar ARRSH-së, teksa ai tha se ky proces ishte në vijim, por që nga momenti i shembjes ky proces i ndërpre.

Fiksi e pyeti se si u shemb në 5 pjesë të ndryshme, teksa Shpani thotë se ai ka zbatuar vetëm projektin që i është sërvirur. “Ishte një rrugë pak më shumë se 1 km dhe me një vlerë mbi 1 milionë euro. Për rrugë nacionale ishte vlerë e ulët, bëmë vetëm ato që na kërkuan. Është një terren i vështirë se unë jam vetë nga Burreli, me shembje dhe me atë fond, ne e zbatuam” thotë Nikolini.

Më tej shpjegon se shirat e dendur të muajit nëntor 2025 sollën shembjen. “Rrëshqitjet kanë ndodhur në 7 deri në 8 metra poshtë. Rruga s’kishte pilota, nuk ishin parashikuar por vetëm me disa mure mbajtës. Besoj se faji ishte i natyrës, kishte shira të dendur dhe të rrëmbyeshëm” thotë Shpani.

Fiksi i thotë se nëse firma e tij mban përgjegjësi për këtë rrëshqitje, teksa ai i thotë se “jo, të gjithë ato që ishin parashikuar në projekt i kemi bërë”. Pra, faji i mbetet natyrës!

Top Channel
