Qëndrimi 


Këshilli kundër draftit. I treti reagim kundër, pas Filologjikut dhe Shkencave


fakulteti-juridikQëndrimit kundër draftit të ri të arsimit të lartë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë dhe Shkencave të Natyrës, i shtohet edhe ai i Drejtësisë. Fakulteti i Drejtësisë është kundër zbatimit të draftit të ri, pasi, sipas tyre, reforma duhet të niste fillimisht me sistemin parauniversitar, si dhe duhet të ishte realizuar një studim mbi trendet e reja të tregut të punës në vend. Në qëndrimin e tij, Këshilli i Fakultetit ngre si shqetësim faktin që ky draft nuk është i konsultuar me të gjitha grupet e interesit, përfshirë këtu edhe studentët.


“Këshilli i Fakultetit të Drejtësisë mendon se në çdo fazë duhet të aplikohet procesi i konsultimit me grupet e interesit (stafet akademike, administrative dhe studentët), pasi kjo do t’i bënte edhe më të përgjegjshëm aktorët e tij. Këshilli vëren se pjesa qendrore e këtij procesi janë edhe vetë studentët, produkti i IAL-ve në Shqipëri, të cilët nuk duken ende të jenë përfshirë në fazën e diskutimeve”, thuhet në përgjigjen zyrtare të këshillit të Fakultetit të Drejtësisë, për draftin e ri të arsimit.


Në të theksohet se është i papranueshëm fakti që raporti nuk merr në konsideratë dhe nuk vlerëson arritjet dhe punën e deritanishme të IAL-ve publike, për më tepër se gjysmëshekulli, që nga koha kur u krijuan universitet e para, duke ‘zhvlerësuar’ investimet (edhe pse modeste krahasuar me shtete të tjera) në infrastrukturë, mësimdhënie dhe kërkim shkencor.


“Kosto tepër të lartë i ngarkojnë IAL-ve edhe menaxherët e departamenteve. Sot, punën e tyre, e bën një kancelar i vetëm për të gjithë njësinë kryesore, i cili do të vazhdojë të ekzistojë si funksion, por do të shtohen edhe menaxherët për çdo departament për të administruar fondet e departamentit. Ky funksion është fare i panevojshëm. Me një parashikim të tillë, cenohet pavarësia në administrim dhe financa e IAL-ve publike, gjë që përbën parim kushtetues (neni 57 i Kushtetutës). Nga mënyra se si krijohet bordi i administrimit i IAL-ve publike, është e sigurt që lehtësisht mund të bëhet pre e influencave politike”, sqarohet në materialin e përgatitur nga këshilli i Fakultetit të Drejtësisë, mbi përmbajtjen e draftit. Referuar një prej komenteve të bëra nga ky institucion, thuhet: “Gjykohet nga ana jonë si një artificë në skemën e strukturës së cikleve të studimit. Ky lloj masteri mund të aplikohet vetëm në ato degë që formimi teorik dhe praktikë i përftuar gjatë cikleve të studimit (të parë dhe të dytë ose të ciklit unik 5-vjeçar) nuk plotëson si duhet nevojat e një pjese të tregut të punës. Në rastin e studimeve juridike, ky master nuk ka funksion dhe duket sikur mbivendoset me shkolla postuniversitare, si Shkolla e Magjistraturës apo Shkolla e Avokatisë”. Për sa i takon çështjes së dypunësimit të pedagogëve, këshilli i Fakultetit të Drejtësisë i kërkon sqarim anëtarëve të komisionit të arsimit të lartë, se kur duhet të konsiderohet dypunësim dhe kur jo. “Raporti është i paqartë në këtë pjesë, kështu propozojmë që në llogaritjen e ngarkesës së pedagogut të përfshihen të gjitha elementet që, sipas akteve nënligjore në fuqi, konsiderohen ‘pjesë e veprimtarisë mbështetëse’ të pedagogut. Eksperiencat ndërkombëtare nuk duhet të zbatohen apriori, por në koherencë me standardet dhe praktikat kombëtare të deritanishme”, thuhet në propozimet e Fakultetit të Drejtësisë.


 


[callout]Sportet


Pedagogët: Kryeni audit administrativ për Rizvanollin


Një grup pedagogësh të Universitetit të Sporteve, kanë kërkuar kryerjen e një auditi të dytë, këtë herë administrativ, për punën e rektorit të pezulluar Vesel Rizvanolli. Sipas tyre, nuk bëhet më fjalë për shkelje financiare, por për abuzime të mëdha me dhënie diplomash false dhe pranime doktoraturash plagjiature. Sipas pedagogëve, edhe pse rektori është pezulluar, bashkëpunëtorët e tij, të evidentuar edhe nga auditi i Ministrisë së Arsimit, vijojnë punën dhe shkeljet. Ndërkohë, ish-rektori Rizvanolli hedh poshtë akuzat e kolegëve për diplomat false, ndërsa deklaron se do të ndjekë rrugën ligjore për të kundërshtuar auditin dhe vendimin për pezullim. Ky vendim u mor ditët e para të këtij muaji nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, bazuar mbi shkeljet e rënda gjatë ushtrimit të detyrës, që gjeti auditi i brendshëm i këtij institucioni.[/callout]