Sakrifica dhe lutjet përgjatë një muaji të tërë kanë kulmuar sot me festën e Bajramit për besimtarët myslimanë.

Sheshi “Skënderbej” i ka mirëpritur mijëra prej tyre për të kryer faljen e madhe.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ndau edhe urimin e tij në përfundim të muajit të shenjtë.

“Konfliktet, luftrat dhe padrejtësitë vazhdojnë të marrin jetë njerëzish të pafajshëm ka familje së sot nuk e ndjejnë gëzimin e kësaj lutjeje, e kësaj dite por dhimbjen e humbjes dhe pasigurinë e së nesërmes. Ne këtë ditë të bekuar lutjet tona shkojnë për të gjithë ata që vuajnë, për fëmijët që rriten mes frikës dhe zhurmës së luftës, për nënat që presin me ankth një lajm për bijtë e tyre dhe për popujt që kërkojnë paqe dhe drejtësi.

Mesazhi i fesë islame është i qartë: islami është fe e paqes e mëshirës dhe e drejtësisë dhe solidaritetit. Allahu në kuran e përshkruan të dërguarin e tij mëshirë për botën për tërë botën dhe nuk ka diçka tjetër ndryshe përveç kësaj. Kjo do të thotë se besimtari është thirrur të jetë burim paqeje mëshire dhe drejtësie kudo.

Falet namazi i Fitër Bajramit në Tiranë, kreu i KMSH-së:

Sot, aty ku ndodhet bota  kanë nevojë për më shumë drejtësi për më shumë mirëkuptim dhe për më shumë paqe dhe vëllazëri njerëzore dhe kjo paqe fillon nga zemra e njeriut nga familja nga komuniteti ku ne jetojmë ajo ndërtohet me respekt dhe me kujdes për njëri-tjetrin. Ne si shoqëri kemi përgjegjësinë të kultivojnë këto vlera shumë të rëndësishme të patjetërsueshme në të gjitha kohërat dhe vendet”, tha ai.

Fjalimi i kryetarit për Fiter Bajram 2026:

Falet namazi i Fitër Bajramit në Tiranë, kreu i KMSH-së:

Të nderuar besimtarë, motra dhe vëllezër,

Në këtë mëngjes të bekuar të Fitër Bajramit, zemrat tona janë të mbushura me falënderim dhe mirënjohje ndaj Allahut të Madhëruar, i Cili na dha mundësinë të përjetojmë edhe një herë muajin e shenjtë të Ramazanit dhe të arrijmë këtë ditë gëzimi e bekimi. 

Pas ditëve të agjërimit, netëve të lutjes dhe përpjekjes për ta përmirësuar veten, sot qëndrojmë para Zotit me shpresën se Ai e ka pranuar agjërimin tonë, lutjet tona dhe çdo vepër të mirë që kemi bërë.

Allahu i Madhëruar në Kuranin fisnik na kujton qëllimin e këtij adhurimi kur thotë: “O ju që besuat! Ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç u ishte bërë obligim atyre para jush, që të bëheni të devotshëm.”

Pra, Ramazani nuk ishte vetëm një ndalim nga ushqimi dhe pija, por një shkollë e madhe shpirtërore për zemrat tona.

Ai ishte një udhëtim drejt devotshmërisë, drejt pastrimit të shpirtit dhe drejt forcimit të lidhjes sonë me Krijuesin.

Gjatë këtij muaji ne u përpoqëm të kontrollojmë veten tonë: të ruajmë gjuhën nga fjala e keqe, zemrën nga urrejtja dhe veprat nga padrejtësia.

I Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed (a.s.), na ka mësuar se agjërimi nuk është vetëm largim nga ushqimi dhe pija, por edhe largim nga çdo fjalë e vepër që e largon njeriun nga Zoti. Ai na kujton se kush nuk largohet nga padrejtësia dhe nga fjala e keqe, Allahu nuk ka nevojë për urinë dhe etjen e tij.

Prandaj Ramazani ishte një kohë reflektimi, sakrifice dhe përulësie. Ai na mësoi se uria dhe etja nuk janë vetëm një provë fizike, por një kujtesë e fortë për të ndjerë dhimbjen e atyre që jetojnë çdo ditë në vështirësi.

Ai na mësoi se zemra e besimtarit bëhet më e fortë kur ndan me të tjerët, kur fal dhe kur shtrin dorën për të ndihmuar atë që ka nevojë.

Falet namazi i Fitër Bajramit në Tiranë, kreu i KMSH-së:

Fitër Bajrami është dita kur gëzimi takohet me mirënjohjen. Është dita kur familjet bashkohen, kur miqtë takohen dhe kur zemrat hapen për falje e mirësi. Por kjo festë nuk është vetëm një moment gëzimi; ajo është edhe një thirrje për përgjegjësi. Sepse besimi i vërtetë nuk matet vetëm me lutjet tona, por edhe me veprat tona në shoqëri.

Islami na mëson se më i miri prej njerëzve është ai që u bën dobi të tjerëve. 

Prandaj edhe sadakaja e Fitrit që kemi dhënë është bërë obligim në këtë ditë, në mënyrë që askush të mos mbetet pa gëzimin e Bajramit.

Kjo është një nga bukuritë më të mëdha të fesë sonë: kujdesi për tjetrin, solidariteti dhe përgjegjësia ndaj më të dobëtit.

Të dashur besimtarë,

Sot, ndërsa ne festojmë këtë ditë të bekuar, nuk mund të mos mendojmë për botën përreth nesh. 

Në shumë vende të globit, njerëzit e presin Bajramin në rrethana të vështira. 

Konfliktet, luftërat dhe padrejtësitë vazhdojnë të marrin jetë njerëzish të pafajshëm. Ka familje që sot nuk e ndiejnë gëzimin e kësaj dite, por dhimbjen e humbjes dhe pasigurinë e së nesërmes.

Në këtë ditë të bekuar lutjet tona shkojnë për të gjithë ata që vuajnë: për fëmijët që rriten mes frikës dhe zhurmës së luftës, për nënat që presin me ankth një lajm për bijtë e tyre dhe për popujt që kërkojnë paqe dhe drejtësi.

Mesazhi i Islamit është i qartë: Islami është fe e paqes, e mëshirës dhe e drejtësisë. Allahu në Kuran e përshkruan të Dërguarin e Tij si “mëshirë për botët”. Kjo do të thotë se besimtari është thirrur të jetë burim paqeje, mëshire dhe drejtësie kudo ku ndodhet.

Bota sot ka nevojë për më shumë drejtësi, për më shumë mirëkuptim dhe për më shumë paqe.

Dhe kjo paqe fillon nga zemra e njeriut, nga familja, nga komuniteti. 

Ajo ndërtohet me respekt, me dialog dhe me kujdes për njëri-tjetrin.

Ne si shoqëri kemi përgjegjësinë të kultivojmë këto vlera. 

Falet namazi i Fitër Bajramit në Tiranë, kreu i KMSH-së:

Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend ku besimet fetare kanë jetuar në harmoni dhe respekt të ndërsjellë.

Kjo është një pasuri e madhe shpirtërore dhe kombëtare që duhet ta ruajmë dhe ta forcojmë gjithmonë.

Le të jetë ky Bajram një moment reflektimi për secilin prej nesh: të jemi më të drejtë në familje, më të ndershëm në punë, më të kujdesshëm ndaj të varfërve dhe më të gatshëm për të falur. 

Sepse një shoqëri ndërtohet mbi zemra të pastra dhe mbi njerëz që zgjedhin të bëjnë të mirën.

Të dashur motra dhe vëllezër,

Gëzimi i Bajramit bëhet më i plotë kur ndahet me të tjerët.

Mos harroni të vizitoni të moshuarit, të kujdeseni për jetimët, të ndihmoni ata që kanë nevojë dhe të sillni gëzim në shtëpitë ku mungon buzëqeshja.

Një fjalë e mirë, një dorë shtrirë ndihme apo një fjalë e sinqertë mund të ndryshojë jetën e dikujt.

Le të mos përfundojë me këtë ditë ajo që kemi mësuar gjatë Ramazanit. 

Le ta vazhdojmë rrugën e devotshmërisë, të mirësisë dhe të përkushtimit ndaj Zotit edhe në ditët që vijnë.

Lusim Allahun e Madhëruar që të pranojë agjërimin tonë, lutjet tona dhe çdo vepër të mirë që kemi bërë gjatë këtij muaji.

Lusim Atë që të sjellë paqe në zemrat tona, në familjet tona dhe në mbarë botën.

Zoti  ju dhëntë paqe, shëndet dhe begati në familjet tuaja.

Gëzuar Fitër Bajramin për të gjithë ju.