Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-drejtorin e Kadastrës, Ertis Shehu, dhe 49-vjeçarin Ervin Habilaj, të dyshuar për përfshirje në një skemë të falsifikimit të dokumenteve dhe përfitimit të paligjshëm të pronave.

Ndërkohë, për 40-vjeçarin Emiljano Ruko, ish-topograf pranë ASHK-së Fier, gjykata ka vendosur masën “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Sipas hetimeve, tre personat dyshohet se kanë bashkëpunuar për regjistrimin e rreth 71.7 hektarëve tokë në zonat e Levanit dhe Dërmënasit, përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara.

Në kuadër të hetimit, autoritetet kanë sekuestruar edhe 715,976 euro, të cilat ndodheshin në llogarinë bankare të Ervin Habilajt.

Prokuroria vijon hetimet për zbardhjen e plotë të skemës, ndërsa po punohet për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në përfitimin dhe regjistrimin e pronave.

Njoftimi:

Fier/ Arrest në burg për ish-drejtorin e Hipotekës së Fierit dhe pronarin e tokës, detyrim paraqitjeje për topografin

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-drejtorin e Hipotekës së Fierit, Ertis Shehu, si dhe për Ervin Habilaj të dyshuar për falsifikim dokumentesh. Ndërkohë, për topografin Emiljano Ruko, i cili dyshohet se ka përgatitur dokumentacionin, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Seanca për caktimin e masave të sigurisë nisi në orën 16 të pasdites së të shtunës dhe zgjati për disa orë, duke përfunduar rreth orës 19 e 30 të mbrëmjes. Gjatë seancës, gjyqtarja Bora Shahilli dëgjoi fillimisht pretendimet e prokurorit të çështjes Iva Hoxha  dhe më pas qëndrimet e avokatëve mbrojtës të personave nën hetim.

Në përfundim të seancës, gjykata vendosi masën “arrest në burg” për ish-kreun e Kadastrës Fier Ertis Shehu  dhe Ervin Habilaj përfitues i tokës ndërsa për topografin Emiljano Ruko u vendos detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Të tre personat dyshohen për përfshirje në një procedurë ku, sipas akuzës, janë përdorur dokumente të falsifikuara për sipërfaqe tokash në Levan e Ndërmëmas. Hetimet për çështjen vijojnë.