Protesta e banorëve të Rrjollit ka hyrë në një fazë të re përplasjeje, teksa akuzat janë përqendruar drejtpërdrejt tek ajo që ata e quajnë “skandal falsifikimi dokumentesh” për përvetësimin e rreth 1,500–2,000 dynym tokë bregdetare, si dhe tek përgjegjësia e investitorit Bashkim Ulaj për vijimin e punimeve në kushtet e një konflikti të hapur pronësor.

Në një lidhje direkte për “Breaking” në Top News, përfaqësuesja e banorëve, Luciana Koka, deklaroi se çertifikata e pronësisë e vitit 1997, mbi të cilën mbështetet pretendimi kundërshtar, është e falsifikuar.

Sipas saj, manipulimi është i dukshëm në elementë zyrtarë si vula dhe pulla fiskale, që sipas banorëve nuk përputhen me formatet e përdorura në vitet 1995–1997, por i përkasin një periudhe të mëvonshme.

“Falsifikimi është bërë në mënyrë amatore dhe është lehtësisht i verifikueshëm nga ekspertiza”, u shpreh ajo, duke i kërkuar Prokurorisë së Shkodrës akt-ekspertim të menjëhershëm dokumentar dhe topografik për të provuar, sipas tyre, se prona e pretenduar është zhvendosur disa kilometra larg pozicionit real.

Banorët thonë se disponojnë dokumente që datojnë nga vitet 1927–1930, regjistrime të vitit 1947 për shpronësimet, si dhe vendime gjykate të viteve 1996 dhe 2008. Sipas tyre, është e pashpjegueshme që një sipërfaqe kaq e madhe toke bregdetare të rezultojë e trashëguar nga një person i vetëm “pa asnjë bashkëtrashëgimtar”, ndërkohë që fshati ka qenë historikisht i përbërë nga dhjetëra familje pronare.

Akuza të drejtpërdrejta ndaj investitorit Bashkim Ulaj
Banorët pretendojnë se Bashkim Ulaj është vënë në dijeni për konfliktin pronësor dhe për kallëzimin penal për falsifikim, por pavarësisht kësaj, punimet kanë vijuar.

Sipas dëshmisë së bërë publike, në një takim me përfaqësues të fiseve, investitori ka propozuar një marrëveshje që parashikonte 20% të sipërfaqes së ndërtimit pas pesë vitesh, nëse do të paraqitej certifikata e pronësisë.


Banorët e kanë refuzuar ofertën, duke e cilësuar atë si përpjekje për të legjitimuar një proces që, sipas tyre, bazohet në dokumente të falsifikuara.

“Ne e kemi njoftuar që dokumentet janë false. Nuk mund të fshihesh pas faktit që je investitor dhe jo jurist”, deklaruan ata, duke theksuar se përgjegjësia morale dhe ligjore, sipas tyre, nuk mund të shmanget kur ekziston një konflikt i hapur dhe një kallëzim penal në shqyrtim.

Leja e ndërtimit mes procesit gjyqësor
Banorët e konsiderojnë skandaloz faktin që leja e ndërtimit është firmosur më 16 janar nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ndërkohë që çështja e pronës është në proces gjyqësor dhe objekt hetimi.

Sipas tyre, institucionet kanë reaguar me shpejtësi për procedimin penal të 25 banorëve pas përplasjeve në terren, por nuk kanë vepruar me të njëjtin intensitet për verifikimin e akuzave për falsifikim që, sipas protestuesve, qëndrojnë në themel të gjithë projektit.

“Pa zbardhjen e falsifikimit, nuk ka paqe”
Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat deri në një përgjigje përfundimtare nga organet e drejtësisë mbi autenticitetin e dokumenteve. Ata kërkojnë publikimin e akt-ekspertizës dhe pezullimin e menjëhershëm të punimeve deri në sqarimin e plotë të pronësisë.

Për ta, çështja nuk është më vetëm ndërtimi i një resorti, por legjitimiteti i titujve të pronësisë në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit verior dhe përgjegjësia e kujtdo që, sipas tyre, ka ndërtuar mbi një bazë të kontestuar ligjërisht.