Nezir Murati do të vuajë pesë vite burg. Pas shkeljeve, u arratis në SHBA
Një noter, të cilit i është hequr licenca, është dënuar për herë të pestë me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Nezir Murati, 76 vjeç, akuzohet se gjatë viteve të fundit ka kryer shkelje të njëpasnjëshme, ndërsa është larguar në drejtim të SHBA-së. Dënimi i fundit daton katër ditë më parë, ku ai është gjetur fajtor, pasi ka falsifikuar një prokurë përfaqësimi në gjykatë të një avokati. “Provohet plotësisht se Nezir Murati, në detyrën e noterit publik, ka hartuar një prokurë të falsifikuar duke e ‘veshur atë’ me vlerë juridike, nëpërmjet noterizimit me shkrimin e tij origjinal dhe vulat origjinale të dhëna nga shteti. Faktet janë pranuar edhe nga avokati i të pandehurit. Gjykata e vlerëson të provuar kryerjen, me dashje të veprimit kriminal nga i pandehuri Nezir Murati”, pohojnë burimet nga gjykata, të cilat saktësojnë se kjo vepër penale është kryer me dashje direkte nga i pandehuri në detyrë, me qëllim përfitimi material. Mësohet se ky i pandehur është i dënuar penalisht disa herë më parë, për të njëjtën vepër penale. Gjykata çmoi se ai paraqet rrezikshmëri shoqërore të tillë, e cila e bën të domosdoshme dhe të nevojshme izolimin e të pandehurit nga shoqëria. Në fund, gjykata e dënoi me një vit burgim.
Dënimet e tjera
Megjithatë, ky vendim nuk është i vetmi për 76-vjeçarin. Prokurori, në gjyqin e fundit, kërkoi bashkimin e dënimit të datave 26 tetor 2011, 10 mars 2010, 2 shkurt 2010, 5 maj 2010, 2 mars 2010 në një dënim të vetëm prej 5 vitesh burgim dhe 1.100.000 lekë gjobë. I pandehuri rezulton të ketë kryer falsifikime në masë, të dokumenteve, madje edhe të shitblerjeve. Ai është dënuar disa herë, ndërsa gjykata ka bërë bashkimin e dënimeve, duke e dënuar përfundimisht me pesë vite burg dhe me gjobë.
Denoncimet
Nezir Murati, i hetuar dhe dënuar për të njëjtat akuza, është përmendur edhe nga politika për akuzat e mazhorancës aktuale ndaj ish-kryeprokurorit Sollaku. Megjithatë, grupi hetimor thotë se Murati akuzohet se ka falsifikuar dokumente për ngastrat e tokës në periferi të Tiranës. Hetimet kanë nisur kohë më parë, pas denoncimeve të shumta në prokurori. Ishin një sërë ankesash dhe denoncimesh të qytetarëve të ndryshëm për këtë noter, i cili, pas problemeve të shumta duket se është “arratisur” nga Shqipëria. “Bëmat” e tij ende ndihen, pasi ka shumë çështje të hapura në prokurori. Grupi hetimor thotë se ka të gjitha provat që vërtetojnë abuzimin e bërë nga ky noter, pasi janë përdorur vulat dhe dokumentet e këtij noteri. Duket se Murati ka vepruar “hapur” dhe ka kryer një mori falsifikimesh, aq sa policia dhe prokuroria ka përshpejtuar për të dokumentuar këto mori akuzash. Një nga rastet më flagrante, ka të bëjë me dy ngastra toke në periferi të Tiranës, të cilat kanë qenë në bashkëpronësi të përkatësisht dy dhe tre personave. Tokat janë shitur në rastin e parë nga njëri pronar dhe në rastin e dytë nga dy pronarët e tjerë, duke falsifikuar dokumentet sikur të pranishëm ishin të gjithë bashkëpronarët. “Bëhet fjalë për disa raste të vitit 2007”, konfirmojnë burimet nga akuza kryeqytetase, e cila saktëson se pas problemeve me drejtësinë, këtij noteri i është hequr licenca. s.ç
