Kastriot Hasko është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, në kuadër të një hetimi për tjetërsimin dhe regjistrimin e pronave përmes dokumenteve të dyshuara si të falsifikuara.

71-vjeçari akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, në një çështje ku janë nën hetim edhe Ertis Shehu dhe Bardhyl Kapaj, ish-drejtues të ASHK-së në Fier.

Sipas organit të akuzës, Hasko dyshohet se ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Fier, duke i paraqitur ato si dokumente të vlefshme pronësie. Në këtë mënyrë, pretendohet se është bërë regjistrimi i një sipërfaqeje prej rreth 1,143 hektarësh tokë në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë.

Prona ndodhet në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, në Seman të Ri dhe Sheq Marinas, në qarkun Fier.

Hetimi ngre dyshime se, pasi është regjistruar si bashkëpronar, Hasko është paraqitur edhe si përfaqësues i bashkëpronarëve të tjerë. Përmes një prokure të posaçme, e cila sipas prokurorisë është e falsifikuar, ai dyshohet se ka kryer shitjen e sipërfaqes së tokës te dy shoqëri të ndryshme.

Emri i Kastriot Haskos është përmendur më herët edhe në një tjetër konflikt pronësie, atë për një sipërfaqe toke në Palasë. Hasko është ortak i Vasil Bedinajt, i cili është përfshirë në një përplasje lidhur me pronën me biznesmenin Luan Muça.

Pak ditë më parë, duke folur për “Top Story”, Hasko kishte deklaruar se pretendonte të ishte trashëgimtar i pronës në Palasë dhe se dokumentacioni ishte siguruar nga nëna e tij.

Ai kishte deklaruar se prona prej 37 hektarësh ishte regjistruar në hipotekë që në vitet 1995-1996 dhe se vepronte si përfaqësues i trashëgimtarëve.

Dokumentacioni për pronën në Palasë ndërkohë i është përcjellë SPAK-ut, për shkak të dyshimeve për falsifikim.

Në deklaratat e tij, Hasko ka mohuar problematikat me dokumentet dhe ka insistuar se pronën e konsideron trashëgimi familjare. Ai është shprehur gjithashtu se është i gatshëm të paraqesë dokumentacionin përkatës para institucioneve dhe se do ta ndjekë çështjen deri në fund.

“Jam Kastriot Hasko, historinë e kësaj prone e ka bërë e ndjera mamaja ime, nga Vunoi. Prona është trashëgimi dhe dokumentet mami im i ka bërë që në ’95 dhe në ’96 është regjistruar në hipotekë, po kemi vërtetim pronësie. Mund t’ua paraqes edhe dokumentet me avokaten. Unë jam trashëgimtar.

Bëhet fjalë për 37 hektarë, jam përfaqësues i të gjithë trashëgimtarëve, kam kontratë me Reginën, atë e gjeta biznesmen, kam bërë edhe kallëzime. Prona do vejë te i zoti. Le të shkojë jo në SPAK, po ku të dojë, dokumentacionet unë i kam të rregullta. Unë di të them që mua deri tani nuk më ka kërcënuar njeri. Unë nuk jam thirrur në SPAK dhe po të thirrem, do marr dokumentacionin. Atë pronën nuk e gëzon njeri, e kam regjistruar në hipotekë.

E kam regjistruar në ’96, mamaja ime. Është amaneti i nënës time, do ta çoj deri në fund. Le ta shpronësojë shteti dhe të bëjë detyrën e vet dhe secili të marrë lekët e veta. Le ta shpronësojë nuk kam kundërshtim. Unë jam trashëgimtar dhe do ta gëzoj atë që kam. Jam i kënaq, pesë lekë pesë lekë…”, u shpreh Hasko ditë më parë për Top Story.