Ariton Shoraj shtoi fiktivisht 424 zgjedhës në komunës Vllahinë


Zbulohet një tjetër tentativë për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2011 në një komunë të Vlorës. Kallëzimi për manipulimet me listën e zgjedhësve ishte bërë një vit më parë nga kandidati i Partisë Socialiste, i cili pavarësisht manipulimeve, arriti të zgjidhet si kreu i Komunës Vllahinë. Dje, Prokuroria e Vlorës ka dërguar për gjykim përgjegjësin e Zyrës së Gjendjes Civile në këtë komunë, ndërkohë që bashkë me të ishte kallëzuar penalisht edhe ish-kryetari i kësaj komune, pasi dyshohen se kanë falsifikuar listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet e 8 majit të vitit të kaluar.


Më datën 26 prill 2011, Prokuroria e Vlorës, mbi bazën e materialit kallëzues të paraqitur nga shtetasi Gëzim Hoxhaj, në cilësinë e kandidatit të grupimit politik “Aleanca për të Ardhmen”, që sot është kryetar i Komunës Vllahinë, në ngarkim të shtetasve Sokol Hodaj, paraardhës i Hoxhës dhe shtetasit Ariton Shoraj, me detyrë përgjegjës i Zyrës së Gjendjes Civile të Komunës Vllahinë, për falsifikimin e listave përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet për drejtuesit e pushtetin vendor, që u zhvilluan më datën 08.05.2011, ka regjistruar procedimin penal nr. 478 të vitit 2011, për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.


Nga studimi i materialit kallëzues ka rezultuar se, nga ana e kallëzuesit, është pretenduar se në listat përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet vendore të datës 08.05.2011, në të cilat ai ishte kandidat për t’u zgjedhur si kryetar i Komunës Vllahinë, është bërë pasqyrimi i të dhënave të rreme, duke shtuar në mënyrë fiktive emrat e rreth 424 zgjedhësve, të cilët pretendohet se janë transferuar me vendbanim në Komunën Vllahinë, por që nuk kanë rezultuar në listat paraprake të zgjedhësve. Po kështu, nga ana e kallëzuesit është pretenduar se dokumentacioni i përdorur për regjistrimin e këtyre shtetasve në Zyrën e Gjendjes Civile të Komunës Vllahinë, është i falsifikuar dhe se këta shtetas nuk kanë pasur dijeni fare për transferimin e tyre në regjistrat e Gjendjes Civile të kësaj komune.


Nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë janë kryer një sërë hetimesh, lidhur me sqarimin e rrethanave të faktit dhe pretendimeve të ngritura nga kallëzuesi, prej të cilave ka rezultuar se një pjesë e personave, që rezultojnë të jenë të regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile të Komunës Vllahinë dhe rrjedhimisht në listën përfundimtare të zgjedhësve, nuk kanë pasur dijeni fare për këtë regjistrim, ndërsa një pjesë e tyre kanë pasur dijeni, por nuk kanë plotësuar apo dorëzuar asnjë dokumentacion pranë kësaj zyre për regjistrimin e tyre në këtë zyrë, si dhe disa prej tyre kanë dorëzuar vetëm kartën e identitetit, por pa plotësuar asnjë dokumentacion zyrtar për regjistrimin e tyre.


Në kuadër të hetimeve është kryer edhe një akt ekspertimi grafik shkrimi dhe nënshkrimi i dokumentacionit të përdorur për regjistrimin e këtyre personave në Gjendjen Civile të Komunës Vllahinë dhe rrjedhimisht edhe në listat përfundimtare të zgjedhësve të Komunës Vllahinë për zgjedhjet vendore të datës 09.05.2011. Në këto kushte, sipas Prokurorisë është vërtetuar pasqyrimi i të dhënave të rreme në listat përfundimtare të zgjedhësve, kështu që është marrë në cilësinë e të pandehurit dhe dërguar për gjykim Ariton Shoraj, me detyrë përgjegjës i Zyrës së Gjendjes Civile të Komunës Vllahinë. Mi. Ma.