Leonard Mnella, shqiptari që për vite me radhë kishte mundur t’i shpëtonte drejtësisë duke falsifikuar vdekjen e tij, është ekstraduar sot nga Shqipëria drejt Italisë.
Mnella, i njohur edhe me identitetet Leon Kolmnela dhe Leonard Kolmnela, është dënuar me 25 vite burg nga autoritetet italiane për disa vepra të rënda penale, përfshirë bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhvatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha.
Në vitin 2013, ai kishte arritur të deklarohej i vdekur që prej vitit 2003 në Amerikën Latine, përmes një vendimi të marrë nga një gjykatë shqiptare. Pas një arratie të gjatë, Mnella u lokalizua dhe u arrestua në Miçigan të SHBA-së në vitin 2024, prej nga u ekstradua fillimisht në Shqipëri dhe tashmë në Itali, ku do të vuajë dënimin e mbetur.
