Nëna e 14-vjeçarit Martin Cani ka ndarë dhimbjen e thellë që po kalon pas ngjarjes tragjike që shokoi kryeqytetin dhe gjithë vendin. Djali i saj humbi jetën pak muaj më parë, pas një sherri mes adoleshentësh pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

Florina Cani kërkon drejtësi dhe dënimin maksimal për autorin e ngjarjes, ndërsa tregon zhgënjimin e saj të thellë për mungesën e faljes nga familja e autorit. Ajo thekson se nuk ka arritur të marrë pjesë në seancat gjyqësore për shkak të rëndësisë emocionale të situatës, që e ka mbajtur larg atyre momenteve.

“Po të isha në vend të familjes së autorit, si familje do shkoja tek familja e tjetrit, do i thosha që kjo ndodhi, do kërkoja falje, kjo do ishte.

Nuk kam marrë pjesë në seancë gjyqësore, sepse nuk e përballoj dot emocionalisht. Nuk kemi pasur falje nga familja e autorit. “, tha Florina Cani.

Në rrëfimin e saj në emisionin “Me zemër të hapur”, nëna e Martin Cani thotë gjithashtu se ngjarja dyshon se vjen nga konfliktet e moshës dhe xhelozi, si dhe në nevojën për të treguar forcën nga ana e autorit, që përfunduan në këtë tragjedi të hidhur. “Përderisa çështja kaloi në këtë tragjedi, dyshoj se xhelozia apo konfliktet e moshës, ndonjë mburrje për të treguar se autori ishte më i fortë, çuan deri në këtë pjesë. Martini i kishte gjithë të mirat dhe kishte dëshirë që është që kishte ta shprehte edhe me të tjerë. Besoj se kjo ka çuar në konfliktin mes tyre”, shpjegoi nëna e 14-vjeçarit.

Ajo shpreh edhe tronditjen për mungesën e reagimit nga shkolla ku djali i saj kishte qenë nxënës që nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Pavarësisht kalimit të muajve nga rasti tragjik, asnjë nga drejtuesit apo stafi i shkollës nuk e ka kontaktuar familjen për të ofruar ndihmë apo ngushëllime.

“Shkolla nuk ka reaguar dhe jemi shumë të tronditur edhe për këtë pjesë sepse Martini ishte që nga klasa e parë deri në klasën e 9 nxënës i asaj shkolle. Nuk ka ardhur askush”, tha ajo.