Kandidatja e Partisë Demokratike në Tiranë, Jorida Tabaku është përgjigjur lidhur me pretendimet se ka në pronësi një vilë luksoze në zonën e Gjirit të Lalëzit.
E ftuar në “Top Talk”, Tabaku nuk e mohoi vilën, por tha se vjen nga dy familje të mëdha qytetare të Tiranë dhe i ka të gjithë mundësitë të jetojë dhe punojë mirë.
“Unë kam 12 vite e angazhuar në politikë, kam qenë në administratë publike dhe kushdo mund të kishte hetuar. Askush nuk e blen dot të shkuarën.
Gjithkush ka dy modele, modeli që përbalt tjetrin dhe njëkohësisht modeli që flet me fakte dhe argumente. Unë çdo gjë e kam transparente, vij nga dy familje, të cilat janë familje të mëdha qytetare të Tiranës. E kanë krijuar mundësinë të punoj dhe jetoj mirë, çdo gjë është e hapur”.
Edhe në këtë rast, Tabaku sqaron se do të përgjigjet drejtësia, ndërsa shtoi se familja e saj ka patur vila që në 1939.
“Nga akuzat e drejtpërdrejta që unë i kam bërë përpiqet që të hedhë baltë, do të përballet me drejtësinë. Çdo gjë në karrierën time është transparente.
Unë as nuk kam krijuar historinë që shes fiq, çdo gjë është e deklaruar. Familja ime ka pasur vila që në 1939, kur ato që hedhin baltë sot mbi mua, nuk dihet se ku jetonin”.
E gjitha, sipas saj, është një fushatë që ta intimidojë në punën që bën.