Mjaftuan vetëm disa orë reshje shiu dhe qyteti i Durrësit u zgjua në pushtetin e ujit.

Zona e ish-Kënetës dhe ajo e Porto Romanos, dy zona informale të ndërtuara pas viteve 90-të, janë prej ditësh nën ujë dhe të izoluara totalisht.

Banorët tregojnë se nuk mundën të shpëtojnë asgjë, pasi gjithçka ndodhi papritur për vetëm 15–20 minuta.

“Më është përmbytur çdo gjë, kisha lënë ca dru këto përjashtë, por nuk arrita t’i heq, aq shpejt ndodhi”, u shpreh banori.

Banori, i cili është vendosur në këtë zonë 30 vjet më parë, rrëfen se asnjëherë deri më tani nuk kanë përjetuar një përmbytje të këtyre përmasave. Në këtë situatë ka mundur të shpëtojë vetëm dy lopët, ndërkohë që çdo gjë tjetër është nën ujë.

“I kam çuar lopët në mal, ja bari që kisha blerë është nën ujë, ma ka marrë lumi”, u shpreh banori.

Kjo që shihni këtu në pamje është rruga e automjeteve, por që është zhdukur nga uji. Ajo që e bën më dramatike është fakti se rruga është gëlltitur nga kanali kullues i Porto Romanos, buzë të cilit kalon.

Siç edhe e tregojnë këto pamje të Inside Story, si pasojë e vërshimit të ujërave, familje të tëra janë izoluar nga uji, pa asnjë mundësi komunikimi.

“Atje matanë është komshia, nuk shkojmë dot se është shumë thellë. Jeton një e moshuar me një fëmijë jetim në klasë të dytë, askush nuk ka ardhur”, u shpreh banori.

Ky është kanali i madh kullues i Porto Romanos, i ndërtuar që në vitin 1928. Banorët tregojnë se ai u thellua para 4 vitesh, por pa u përforcuar me argjinatura mbrojtëse anash. Si pasojë, ujërat e shumta që vërshuan në të e kanë gllabëruar gjysmën e rrugës, e cila sipas banorëve ka qenë 3–4 metra e gjerë.

Pamjet tregojnë se në të dy anët e tij rruga është mbuluar nga uji, duke e bërë të vështirë edhe ndërhyrjen e ushtrisë.

Pastrimi dhe zgjerimi i këtij kanali ishte pjesë e projektit prej afro 20 milionë euro të bashkisë Durrës, që përfshinte edhe ndërtimin e një hidrovori të ri. Këto pamje dëshmojnë se kanali jo vetëm që nuk ka arritur ta thithë ujin dhe ta derdhë në det, por duket se ai po e kthen pas.

“Mungojnë kanalizimet sepse ne kemi densifikuar njësitë strukturore të qytetit, ndërkohë që kanalizimet kanë qenë të projektuara për një volum të caktuar ndërtimor, në këtë kuptim njerëzish”, u shpreh Gentian Karapata, urbanist.

“Qyteti i Durrësit kanalet e drenazhimit i ka pasur që nga vitet 1925, që nga arkitektët italianë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për qytetin e Shkodrës, e njëjta gjë edhe për qytetin e Vlorës”, u shpreh urbanisti Artan Kacani.