
Dashamir Shehi ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin “Zona Zero” me moderator Thimi Samarxhiu, në Top News, për të folur për zhvillimet e fundit në kampin opozitar.
I pyetur se çfarë mendon për rikthimin e Sali Berishës në krye të opozitës, Shehi deklaroi se ish-kryeministri kërkon të jetë shefi i të gjithëve, por sipas tij kjo nuk është mënyra e duhur për të forcuar opozitën. Shehi shtoi se opozita ka nevojë për mera të rinj.
“Berisha bën mirë që takohet me të gjithë, ai do të jetë shefi i të gjithë opozitës dhe unë nuk them që është receta më e mirë për opozitën. Opozita ka nevojë për njerëz të rinj, s’ka nevojë për hallet e të tjerëve. Berisha ka njerëzit e vet, opozita të vetët. Se kush është e ardhmja e çdo kujt mbetet për t’u parë. Le ta bëjmë luftën me armët që kemi. Unë do kisha preferuar fytyra të reja. Po e ngatërrojmë veten me ca halle që nuk i kemi. Nuk i bëjnë mirë kampit opozitar. Duhet t’i lëmë protagonizmin, fushatën atij që do jetë në krye të bashkisë, njerëzit e rinj. Janë të vlefshëm, bashkë me shqiptarët janë një pasuri e madhe.”– tha ai.