Ka shkuar mëngjesin e sotmën në seli kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Bëhet me dije se Basha ka shkuar në seli rreth orën 08:20 të kësaj paraditeje teksda është shfaqur i qetë dhe i buzëqeshur para kamerave.
Nga transmetimet e drejtpërdrejta të mediave Basha shihet se ka ndaluar para kameramanëve dhe diçka ka komunikuar me ta, megjithatë ende nuk dihet se çfarë.
Ai ka thirrur sot në takim kryetarët e degëve në orën 11:00 në lidhje me kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombetar të datës 18 Dhjetor.
“Të nderuar Kryetarë, Të shtunën, datë 8 Janar, ora 11:00 do të zhvillohet mbledhja e Kolegjit të Kryetarëve të PD për diskutimin mbi kalendarin dhe masat për organizimin e partisë në zbatim të vendimit të Kuvendit Kombetar të datës 18 Dhjetor,
“Për miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike”. Në mbledhje merr pjese edhe Sekretariati i Partisë. Programi i diskutuar dhe miratuar nga Kolegji i Kryetarëve, do ti nënshtrohet më pas miratimit nga Kryesia e Partisë, e cila do të mblidhet po atë ditë”, thuhet në mesazhin që Gazment Bardhi u ka çuar kryetarëve të degëve.
Pas mbledhjes me kryetarët e degëve pritet të mblidhet kryesia e Partisë Demokratike.
Kujtojmë se ditën e sotme ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur një protestë për të nxjerr nga zyra por edhe nga selia e PD-së kreun aktual Lulzim Basha.
Nga ana tjetër një ditë më parë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi në një prononcim për mediat është shprehur se e sotmja në PD është një ditë e zakonshme punë për të gjithë funksionarët e kësaj partie, duke lënë të kuptoj se nuk i njohin thirrjet e Berishës./Gazeta Shqip