Një ndjekje policore ndodhi në zonën e Amarousit në Athinë, pasi oficerët e ekipit DIAS vunë re një automjet të dyshimtë pranë qendrës tregtare “The Mall”, në rrugën “Neratziotissis”.
Shoferi nuk iu bind sinjalit për ndalim dhe tentoi të largohej me shpejtësi, duke u futur në rrugë të ngushta pranë stacionit “Irini” dhe më tej në rrugën “Marinov Antypa”. Në kryqëzimin e rrugëve “Folegandros” dhe “Smyrnis”, ai braktisi automjetin dhe u arratis në këmbë.
Pas një ndjekjeje, u arrestua në rrugën “Marinov Antypa 56”, me ndihmën e një oficeri policie jashtë detyrës. I arrestuari u shoqërua në komisariatin e Amarousit.
Ndërkohë, një person tjetër ka zhvendosur automjetin e braktisur, i cili më pas është gjetur nga policia në rrugën “Iras 60”, në Heraklion.
I arrestuari është identifikuar si Marsel Ndreca, me origjinë nga Miloti i Shqipërisë. Sipas autoriteteve greke, ai është 32 vjeç, ndërsa të dhënat nga Shqipëria tregojnë se është 26 vjeç.
Ndreca ka qenë i arrestuar më shumë se 10 herë për vepra të ndryshme penale dhe ndaj tij është vendosur ndalim hyrjeje në Greqi. Ai akuzohet për tentativë vjedhjeje, ndërsa pritet të kontrollohet automjeti për materiale të dyshimta.
Policia po vijon hetimet dhe është në kërkim të një bashkëpunëtori tjetër të dyshuar.