Fatah organizon manifestimin e parë të madh që nga viti 2006 në Rripin e Gazës


Disa qindra mijëra mbështetës të udhëheqësit palestinez Mahmoud Abbas dhe partisë së tij Fatah, morën pjesë në një manifestim të madh në Rripin e Gazës, për të festuar 48-vjetorin e themelimit të këtij grupimi. Lëvizja Hamas, e cila e qeveris Gazën de facto, e lejoi Fatahun të organizojë festime për herë të parë në pesë vjet. Muajin e kaluar, Hamas festoi ditëlindjen e vet, në një manifestim të rrallë në Bregun Perëndimor. Këto lëvizje synojnë të lehtësojnë tensionin mes dy partive politike.


Hamas erdhi në pushtet në vitin 2006, kur fitoi zgjedhjet, por e izoluar nga bota, arriti të ruajë kontrollin e Rripit të Gazës, ndërsa Bregu Perëndimor ra në duart e Fatah. Hamas konsiderohet një organizatë terroriste, që refuzon të njohë ekzistencën e Izraelit, ndërsa Fatah është themeli i procesit të paqes me Izraelin, proces që në fakt, është bllokuar që nga viti 2010.


Presidenti Abbas u foli mbështetësve të tij përmes një ekrani televiziv: “Fitorja është pranë dhe ne do të takohemi në Gaza së shpejti”, tha ai. “Gaza ka qenë territori i parë palestinez që hoqi qafe pushtimin dhe vendbanimet dhe ne duam të heqim bllokadën, në mënyrë që të jemi të lirë dhe të lidhur me pjesën tjetër të kombit”, tha ai në distancë.


Zyrtarët e Fatah thanë se gjysmë milion mbështetës, një e katërta e popullatës së Gazës, morën pjesë në manifestim. Hamas vlerëson se pjesëmarrësit qenë rreth 200 mijë. Gjatë manifestimit u raportuan përplasje mes fraksioneve rivale të Fatah, por nuk pati dhunë me Hamasin.


“Mesazhi sot është se Fatah nuk mund të zhduket”, tha Amal Hamad, anëtar i kryesisë së këtij grupimi. “Fatah jeton, askush nuk mund ta përjashtojë atë dhe Fatah kërkon t’i jepet fund përçarjes”, shtoi ai. Abbas dhe kreu i Hamas, Khaled Meshaal, nënshkruan një marrëveshje pajtimi në Kajro më 2011-n, por kjo marrëveshje nuk u zbatua. Në një fjalim gjatë një vizite në Gaza muajin e kaluar, Meshaal bëri thirrje për “pajtim dhe unitet kombëtar në radhët e palestinezëve”.


“Palestina është për të gjithë, ne jemi partnerë në këtë komb. Hamas nuk mund t’ia dalë pa Fatah dhe as Fatah pa Hamas, ose asnjë lëvizje tjetër”, tha ai.


Hamas konsiderohet një lëvizje islamike, ndërsa Fatah konsiderohet laike. Ato nuk janë dakord për qëndrimin që duhet të mbajnë ndaj Izraelit. Hamas ka refuzuar të heqë dorë nga dhuna, të njohë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe të pranojë marrëveshjet e paqes.


Gaza u bombardua muajin e kaluar nga Izraeli, për më shumë se një javë, dhe mbi 100 palestinezë mbetën të vrarë. Hamas u mburr me faktin se kishte lëshuar raketa amatore me rreze të gjatë veprimi, raketa që nuk shkaktuan ndonjë dëm të konsiderueshëm në Izrael.


 


Konflikti Hamas-Fatah


Janar 2006: Hamas fiton zgjedhjet në Palestinë


Mars 2007: Hamas krijon një qeveri uniteti nën udhëheqjen e vet


Qershor 2007: Shpërthejnë përleshje mes dy grupeve në Gaza; Abbas shpërndan qeverinë; Hamas përzë Fatahun nga Gaza


Maj 2011: Dy grupimet nënshkruajnë marrëveshje pajtimi