Viti i ri shkollor i gjeti nxënësit e Lagjes Nr.1 në Durrës të shpërndarë nëpër gjimnaze të tjera. Pasi për shkollën e tyre të mesme të përgjithshme ” Gjergj Kastrioti” ende nuk ka një projekt rindërtimi.
Thuajse 5 vjet nga tërmeti i nëntorit 2019, i cili krahas të tjerave, dëmtoi mjaft edhe objektet mësimdhënëse si shkolla e kopshte, ku midis tyre ishte dhe gjimnazi ” Gjergj Kastrioti”. Gërmimet e nisura më datë 20/09/2023 për realizimin e projektit për rindërtimin e shkollës “Gjergj Kastrioti”, nxorën në dritë një zbulim shumë të rëndësishëm arkeologjik për Durrësin, një zonë të shtruar me mozaik dhe disa struktura muresh. Në atë kohë u pezulluan menjëherë punimet, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk kanë nisur ende.
Sot, hapësira ku ndodhej gjimnazi është e rrethuar me barriera metalike, që e paraqesin si një kantier ndërtimi.
Në tabelën informuese shkruhet se investimi mbulohet nga fondet e Bashkimit Europian dhe PNUD.
Disa muaj më parë kryeministri Edi Rama ka shpërndarë disa foto në Facebook nga riprojektimi i shkollës së re ‘Gjergj Kastrioti’ në Durrës.Sipas tij, ky punim do të realizohet nga arkitekti spanjoll Toni Girones dhe ideja e këtij projekti të ri është që të ndërthuret projekti i shkollës me zonën e kërkimit.
Por edhe këtë vit me sa duket, gjimnazi “Gjergj Kastrioti” do të mbetet edhe për shumë vite të tjera një kantier i ngrirë, ndërsa nxënësit e tij do të vijojnë mësimin në klasat e mbingarkaura të shkollave të mesme të qytetit të Durrësit.
Shkolla e kthyer në stallë. Dikur kishte nxënës, sot ka jonxhë,bar dhe bajga.
Fiksi vëzhgoi edhe në disa vende të tjera në lidhje me infrastrukturën arsimore. Në Veterrik të Beratit shkolla e mëparshme është kthyer në stallë bagëtish. Në klasat kur dikur kishte nxënës, sot ka jonxhë,bar dhe bajga.
Nxënësit e fshatit dhe atyre përreth mësimin e zhvillojnë në një tjetër godinë ku për riparimin e saj ka investuar TAP-it.
Sipas informacioneve të mbledhura nga Fiks Fare pranë Bashksië së Beratit, u mësua se shkolla fillore e Veterrikut është ende pronë në iventarin e kësaj bashkie.
Edhe pse kjo ndërtesë ishte një shkollë, pas zhvendosjes së nxënësve në një ndërtesë tjetër, në vitin 2012 filluan procedurat për privatizimin e saj.
Pas miratimit nga ish komuna e Velabishtit në vitin 2014 procedura e privatizimit ka mbetur e ngrirë në drejtorinë e privatizimit.
Por edhe pse procedurat për privatizimin nuk kanë vazhduar, sot kjo shkollë ka një pronar, i cili e ka kthyer në një hangar për ushqimin e bagëtive dhe ambientet e saj të jashtme në stallë.