Procesi


Prokuroria paraqet vendimin për dënimin me 6 vjet burg


Është zhvilluar dje në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier seanca e parë ku do të vendoset për lejimin ose jo të ekstradimit drejt Italisë të Fatmir Kajollit. Prokuroria e Fierit ka depozituar prej disa ditësh kërkesën për lejimin e ekstradimit të tij, duke vënë si provë letërporosinë e dërguar nga drejtësia italiane, prej së cilës është vënë në dispozicion vetëm vendimi i Gjykatës së Apelit të Milanos. Në këtë vendim, Gjykata e Apelit të Milanos ka dhënë dënimin me 6 vite burg ndaj Kajollit, nga 16 vite që ishte vendosur prej Shkallës së Parë. Pasi prokuroria ka cituar kërkesën e ekstradimit të kryer nga drejtësia italiane, pala mbrojtëse ka kërkuar kohë për t’u përgatitur. Kështu që gjykata ka vendosur që mbrojtja e Kajollit të japë pretendimet e saj tri ditë më vonë. Edhe pse ndalimi i Kajollit u krye me bujë dhe u deklarua fillimisht se në urdhrin e Interpol Romës figuronte që ai të ishte dënuar nga dy gjykatat italiane me 40 vite burg në total, të dhënat e fundit tregojnë diçka tjetër. Kështu, Gjykata e Apelit të Milanos e ka ulur me 10 vite dënimin e dhënë nga Shkalla e Parë, ndërsa ende nuk dihet vendimi i formës së prerë të Dhënë nga Gjykata e Apelit Romë. Gjykata e Fierit caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Kajollit, masë që u la në fuqi edhe nga Apelit i Vlorës. Pas ndalimit të Fatmir Kajollit, policia njoftoi se ai ishte dënuar nga Gjykata e Romës Itali me 24 vite burg për veprën penale të “trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve dhe lëndëve psikotrope”, si dhe nga Gjykata e Milanos me 16 vite burg për “pjesëmarrje në organizatat kriminale me qëllim trafik narkotikësh”.