Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë komunikimit me mediat këtë të hënë pas daljes nga SPAK, foli për shpenzimet gjatë fushatës elektorale.

Berisha u shpreh se fushata e tij është mbuluar nga PD, duke theksuar: “Ka një ligj që përcakton afatin ligjor kur Partia Demokratike do të deklarojë shpenzimet dhe unë garantoj se PD do të deklarojë çdo qindarkë.”

Ai shtoi se nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë personale, ndërsa deputetët po deklarojnë shpenzimet e tyre personale, të cilat variojnë nga dhjetëra deri në mijëra euro. Sipas tij, çdo aktivitet i fushatës së tij në turneun në të gjithë Shqipërinë është mbuluar nga PD dhe do të raportohen sipas ligjit.

Berisha theksoi gjithashtu se kandidatët e tjerë kanë deklaruar shpenzime të sponsorizuara nga xhepi i tyre, duke e krahasuar këtë me mbulimin e shpenzimeve të PD-së për fushatën e tij.