Qytetarët janë mbledhur për të gjashtën ditë radhazi në Tiranë për të protestuar kundër projektit në Zvërnec, ndërsa tubimi ka nisur me grumbullimin në sheshin “Skënderbej” dhe më pas me marshimin drejt Kryeministrisë.
Me pankarta dhe thirrje kundër projektit, protestuesit kanë vijuar kundërshtimin e tyre ndaj investimit të planifikuar në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Gjatë protestës është shënuar edhe një moment i pazakontë, kur një fëmijë 6-vjeçar humbi kontaktin me familjarët mes turmës së pjesëmarrësve. Personi që mbante megafonin njoftoi qytetarët për situatën dhe u kërkoi të gjithëve të uleshin në gjunjë për të bërë të mundur identifikimin e fëmijës.
Pas disa minutash kërkimesh, efektivët e policisë arritën ta gjenin të miturin dhe ta rikthenin pranë familjarëve të tij, duke shmangur pasoja të mëtejshme.
Ndërkohë, protesta vijon përpara Kryeministrisë, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë ndalimin e projektit në Zvërnec dhe më shumë transparencë mbi procedurat e ndjekura për realizimin e tij.
