Malësi e Madhe


Më parë mësonin në një shtëpi të braktisur për shkak të gjakmarrjes


Familjarët kërkojnë mjete transporti, pasi në dimër nuk mund t’i nxjerrin fëmijët në borë


Ardi Hoti


Prej më shumë se një dekade, fëmijët e dy fshatrave Baliaj dhe Mushqerrë në Rrethin e Malësisë së Madhe nuk mund të bëjnë mësim te shkolla e tyre, pasi nga viti në vit ndërtesa e shkollës ka degraduar dhe sot ajo ka pamjen e një ndërtese gjysmë të shembur. Aktualisht 10 fëmijët e këtyre dy fshatrave duhet të ecin një orë në këmbë për të shkuar te shkolla më e afërt, ndërkohë që pushteti vendor nuk ka bërë përpjekjen më të vogël për t’u ardhur në ndihmë, me qëllim arsimimin e tyre.


Shkolla 9-vjeçare e dy fshatrave Baliaj dhe Mushqerrë të ngjason me një ndërtesë të bombarduar pa çati, pa dyer, pa dritare dhe me mure të shembura. Deri në vitin 2000, kjo shkollë ishte një ndërtesë model, ku kishte 60 nxënës. Ndërsa sot, shkolla nuk mund të quhet më as ndërtesë dhe për më tepër situata duket pesimiste kur ky objekt ndodhet vetëm 15 kilometra larg qytetit të Shkodrës.


Banorët e këtyre fshatrave shprehen se fëmijët bëjnë një orë rrugë në këmbë dhe në këto kushte, atyre u duhet t’u vihet një furgon në dispozicion për transport. Në dimër fëmijët e kanë të pamundur të shkojnë në shkollë, duke rrezikuar të mbesin analfabetë. Një nga banorët e zonës, Hajrulla Bushati, shprehet për gazetën se “kërkesa jonë është që të vihet një furgon në dispozicion të fëmijëve. Janë fëmijët në klasë të dytë dhe u duhet për të ecur 40 deri në 60 minuta në këmbë. Mirë, se tani që ende nuk ka ardhur dimri, ata po e bëjnë rrugën në këmbë. Por, kur të vijë dimri, unë i pari nuk do ta dërgoj fëmijën në shkollë, pasi të ecë në të ftohtë për të shkuar në shkollë është absurde. Më mirë të qëndrojë analfabet, se të vdesë rrugës”.


Deri para dy vitesh, fëmijët e këtyre fshatrave kanë bërë mësim në shtëpinë e një personi që ishte në gjak dhe kishte braktisur banesën për shkak të gjakmarrjes, por pas shembjes së shtëpisë, fëmijët u dërguan te shkolla në qendër të komunës. Aktualisht, fëmijët e zhvillojnë mësimin te shkolla e bashkuar në qendrën e Komunës Gruemirë.


Fakti që dy fshatrat kanë numër të pakët të fëmijëve që shkojnë në shkollë, është parë si zgjidhje, që më mirë të mos dërgohet mësues në shkollën e fshatit dhe mësimi për këta fëmijë të bëhet te shkolla në qendër të komunës. Kjo zgjidhje duket se ka lënë shkollën në mëshirë të fatit, që sot është shembur e tëra. Njerëzit në këto anë po e braktisin gjithnjë e më shumë këtë zonë, pasi këtu nuk mungon vetëm shkolla, por edhe uji i pijshëm dhe ai për vaditjen e tokave. Në këto kushte, ku banorët po braktisen nga shteti, kanë gjetur zgjidhje ikjen nga fshati.