Në këtë pikë nis kalvari i gjatë i vuajtjeve të Enverit për të gjetur trupat e vajzave të tij dhe nënës. Një dramë e vërtetë familjare që është e vështirë të përshkruhet me fjalë.
Enveri kërkonte në mal me shpresën se mund të gjente gjallë vajzat e tij, ndërkohë ishte përgjegjës për të larguar nga rreziku dhe pjesën tjetër të familjes. Njëkohësisht, ai ishte i angazhuar në luftime si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Ata i kanë vrarë më 13 prill, 9 maksimumi 10, se fshati ka qenë i boshatisur, por kanë hyrë forcat ushtarake serbe. Këtë masakër e ka bërë milicia e atëhershme ndaj popullatës civile të pambrojtur. Robër të luftës nuk i kanë trajtuar me konventë ndërkombëtare. Kanë vrarë fëmijë, pleq dhe gra. Dy herë e kam bërë për Rrozhajë dhe mbrapa, dhe jam kthyer në Rrozhajë sërish. Janë shkuar në Shqipëri,” u shpreh Enver Lipaj, familjar i viktimave.
Pas kësaj, Enveri është larguar drejt Shirokës në Shkodër, ku shumica ishin shqiptarë të Kosovës që ishin larguar për të ardhur në Shqipëri. Ata janë pritur nga vëllezërit shqiptarë përtej kufirit, që u kanë hapur shtëpitë për të jetuar. Ditën e parë u strehuan në Milot dhe më pas në Durrës. Bashkëshortja ishte së bashku me djalin e saj dhe me fqinjët, ndërsa Enveri ende nuk dinte asgjë për familjen. Pas rigjetjes në Shënavlash të Durrësit, ku qëndronin në kampin belg, Enveri merr informatat për një skenë varri masiv pranë pusit, në banesën e vjehrrit të tij.
“E pashë që ishte pusi i rrafshuar. Ja kishim nisur më 25 qershor, hoqëm gjërat, kishin gjuajtur, gëlqeren, me thasë. I kanë gjuajtur për të djegur kufomat. Hoqëm gurët, e gjërat. Në metrin e katërt të bunarit, kishte shenjat e para që ishte varrezë masive. Ka dalë vjehrri im, nëna ime, Qëndresa, më pas Mirdona, vajza e dytë, Njomëza, Cika e djalit të xhaxhait, Lindihënës, vajza e djalit të axhës, Hajria, Sabria bashkëshortja e Fadilit dhe një mysafire e strehuar që ishte bashkangjitur, Hatmane Mehaj. Qëndresa ka qenë 15 vjeçare, nxënëse e gjimnazit, Mirdona ka qenë 13 vjeçare, Lindihana dhe Njomëza 14 dhe 13 vjeçare,”– u shpreh Enver Lipaj, familjar i viktimave.
Në këtë masakër, u vranë pa mëshirë 4 fëmijë. Vrasje me vetëdije të plotë, pa asnjë ngurrim nga ana e milicisë serbe. Pa asnjë mundësi vetëmbrojtje, pa asnjë tentativë largimi, pa asnjë armë, përveç bukës që nuk arritën ta konsumonin. Pa asnjë person që mund të ishte i aftë për luftë, vetëm të moshuar, gra dhe fëmijë.
“I kemi nxjerrë, i kemi vendosur 8 martirë dhe 9. Në shporet ka mbetur buka e djegur. Ata kanë qenë të pambrojtur. Ne që kemi qenë në strukturën e UCK-së, kemi dalë ose na kanë vrarë, ose i kemi vrarë, njëra nga të dyja,” u shpreh Enver Lipaj, familjar i viktimave.
Detajet që jep Enveri janë të tmerrshme, megjithatë ai ka qenë dëshmitar okular për mënyrën se si janë gjetur trupat e viktimave.
“Ata i kanë vrarë 3 herë, herën e parë me plumb për së afërmi, herën e dytë i kanë marrë dhe i kanë hedhur në pus, gjithsecilin, perimetri i pusit ishte 90 cm. I kanë gjuajtur të vrarë. Dhe herën e tretë i kanë vrarë, duke menduar se ishte dikush gjallë, kanë hedhur në erë bunarin, për të humbur gjurmët. Në gjurmët e masakrës, gjaku nuk humb. Fatmirësisht i gjetëm masakrën e bërë prej serbëve. Masakra e kryer me qëllim. Ishte gjenocid ndaj popullit shqiptar,”– u shpreh Enver Lipaj, familjar i viktimave.
Trupat e të ndjerëve më pas janë varrosur më 27 qershor. Më pas, Enveri është nisur drejt Shqipërisë për tu bashkuar me Rrahimen dhe djalin.
“Shkova në Shqipëri. Atje ishin mbledhur të gjithë, ata që na njohin dhe ata që nuk na njohin dhe drejtori i kampit. Më pas kësaj i thashë, vetëm rri qetë, mund të të shpreh vetëm ngushëllime. Jemi përgatitur, ata e morën me shumë dhimbje, edhe ata të kampit. E morën me shumë dhimbje. Ca keni nevojë ju?”, u shpreh Enver Lipaj, familjar i viktimave.
Rrahimja: “Bash në momentin kur ka ardhur Enveri, janë pasur gjëra të tmerrshme. Ca nuk mundet një nënë dhe një prind me e përballu. Ajo ishte… Prindi për fëmijën dhe fëmija për prindin është gjithçka. Kjo ka qenë sfidë e tmerrshme. Kjo mirë që jemi kështu, këto sene janë të tmerrshme. Unë nuk mund ti kujtoj, ky i ka parë. Nuk mundem ti kujtoj. Duhej të merrej me ne dikush, një psikolog, ka qenë shumë e rëndë. Jeta qenka kështu.”
Enveri dhe Rrahimja jetojnë çdo ditë me zbrazëtirën e mungesës së vajzave të tyre dhe tmerrin e kujtimeve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Një krim çnjerëzor të cilit nuk iu gjetën fajtorët.
“Kufomat i kam gjetur në një mënyrë të tmerrshme. S’dua të flas më tepër për të lënduar shoqen time. Përveç shëndetit, ne kemi dhimbje të pashlyeshme. Kemi trauma…”, u shpreh Enver Lipaj, familjar i viktimave.
Dëshmitë që sapo dëgjuam janë vetëm pak nga plagët e pambyllura që ka populli shqiptar kundrejt agresorit serb. Një shtet që nuk ka kërkuar falje as sot e kësaj dite për masakrat që kanë shkaktuar në popullatë, ndaj grave, të moshuarve dhe sidomos mbi fëmijët. Më të pafajshmit e këtyre krimeve.
Një pjesë e të cilëve, nuk përkujtohen as nga shteti i tyre, Kosova që zyrtarisht njeh 1133 viktima fëmijë nga agresioni serb, dhe jo 1432, aq sa janë në të vërtetë. Po ashtu, një turp akoma më i madh për drejtësinë ndërkombëtare, që ka ngritur çekanin kundrejt viktimës dhe po përkëdhel agresorin.
UÇK-ja dhe sakrifica e shqiptarëve të Kosovës për liri është një ndër faqet më të ndritura të historisë sonë. Liria jonë ka kaluar nëpërmjet Fadilit, Imerit, Enverit, Ademit, Malushit e mijëra dëshmorëve që ranë për liri. Ka kaluar përmes gjakut të atyre fëmijëve që u vranë në djep, u vranë me kafshatën e bukës në dorë. Ata që i falën gjithçka këtij vendi! Sot, drejtësia ndërkombëtare duhet të bëjë detyrën për kujtimin e atyre vogëlushëve që ende nuk kanë gjetur paqen e merituar…!




