Një tjetër fqinjë e familjes Azizllari, ka rrëfyer për mediat kushte të rënda sociale dhe ekonomike në të cilat jetonin të ndjerët, Merjeme Azizllari, 40 vjeç dhe djali i saj Luka, 14 vjeç, të cilët humbën jetën si pasojë e një zjarri në banesën e tyre, në Maliq.
Ajo ka treguar se i ndihmonte me ndihma, pasi familja jetonte në kushte të vështira, ndërsa thekson se të dy fëmijët nuk shkonin në shkollë, për shkak se ishin me spektrin e autizmit. Sipas saj, babai i familjes ishte i vetmi që punonte, ndërsa nëna kujdesej për dy fëmijët.
“Jetonin shumë keq, nuk merrnin as kemp. Më vjen shumë keq, sepse shkoja dhe i ndihmoja i jepja njërit nga 2 nga 10 mijë lekë, sepse m’i dërgon çupa nga Gjermania dhe i ndihmoja. I kam dhënë njëherë dy divanë. Po lajmin e dëgjova në televizor. Vetëm ai i shoqi punonte, ngrihej në orën 7 ikte në punë.
Me autizëm ishin të dy fëmijët, ishin të dy të sëmur. Ajo nuk shkonte dot në banjo. Nuk e kemi parë njëherë përjashta djalin, rrinte brenda. Është një fatkeqësi e madhe. Nuk i çonte në shkollë fëmijët, nuk ishin për në shkollë ata, sepse janë autikë”, tha ajo.