Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Volosit, në Greqinë qendrore.
Rreth orës 11:00, një 40-vjeçar shqiptar goditi për vdekje me thikë bashkëshorten e tij në hyrje të pallatit ku banonin. Sipas të dhënave të para, ngjarja erdhi pas një sherri mes çiftit.
Menjëherë pas krimit, autori u largua në këmbë dhe policia po vijon kërkimet për ta kapur.
Katër fëmijët e mitur të çiftit ndodheshin në banesë gjatë momentit tragjik dhe u morën nën kujdes nga autoritetet.
Mediat greke raportojnë se 40-vjeçari kishte probleme me drogën dhe verën e kaluar kishte tentuar t’i jepte fund jetës. Deri tani nuk ka prova për histori dhune të mëparshme në familje.
Policia dhe Prokuroria greke po hetojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

