Eriselda Balliu, bashkëshortja e Baki Goxhajt, shqiptarit të ndaluar nga Izrali pasi ishte nisur me një mision humanitar drejt Gazës, ka folur sot në “Shqipëria Live”.
Balliu shpjegoi se që prej momentin të ndalimit, nuk ka patur komunikim me bashkëshortin. Ajo dyshon se po mbahet i izoluar në anije ushtarake nga Izraeli, në shkelje me ligjin. Sipas Balliut, ndalimi është i paligjshëm pasi anija ku udhëtonte shqiptari dhe disa aktivistë të tjerë, ishte ndërkombëtare dhe udhëtonte në ujëra ndërkombëtare.
“Bakiu është pjesë e një flotilje ndërkombëtare, me qëllim humanitar dhe ka qenë duke lundruar në ujëra ndërkombëtare. Nuk ka prekur territorin izraelit. Ai po shkonte në Gaza, në tokën ku po kryhet gjenocid. Që në 2010 mbaj mend që më shprehte dëshirën se donte të shkonte në Gaza me mision humanitar. Tani kur nisi procesi i përzgjedhjes, në fillim kam qenë mbështetëse por më pas nisa të shqetësohesha. Izraeli është mësuar me pandëshkueshmërinë. Nuk pësojnë për asnjë krim që kryejnë. Po kryejnë krime hapur fare dhe nuk po dënohen. Prandaj guxojnë që të kapin një anije me mision humanitar. Pak më parë kisha një telefonatë nga ambasadorja shqiptare në Telaviv, e cila më tha se po tentojnë të komunikojnë me autoritetet izraelite që të marrë informacione për gjendjen. Unë kam pasur komunikim deri në mëngjesin e ditës së djeshme kur ai u ndalua.
Thonë që mund të mbahen në disa anije ushtarake ku mbahen të gjithë ata që ndalohen, një rast i ngjashëm ndodhi para dy javësh me një tjetër mision humanitar. Ambasadorja më tha që po mbahen në anijen ku u kapën por unë anijen e pashë të përmbytur prandaj besoj mbahen të izoluar në anije ushtarake. Në atë anije ishin persona të huaj, një grup kompakt aktivistësh në mbrojtje të të drejtave të njeriut, njerëz intelektualë.
Fëmijëve ua kam shpjeguar para se Bakiu të bënte videon që ta kuptonin situatën. Ata kanë qarë për rreth dy orë. Djali i dytë më tha që kjo është gjë e bukur por ama unë dua babin këtu. Tani nuk i kam përfshirë më sepse nuk dua ta përjetojnë këtë gjë. Bakiu është një njeri i dalluar për guximin, një njeri humanitar. Është dalluar gjithmonë. Ndërkohë situata në Gaza na ka prekur shumë si familje dhe për këtë arsye ai ndërmori këtë mision.”- tha ajo.
