Mbulesa
E vaksinave te fëmijët shqiptarë mbetet 95 për qind. Shumica e grave i lindin fëmijët e tyre në maternitet. Vetëm 2% lindin në shtëpi
Kushtet ekonomike
Politikat sociale nuk lidhen me ndihmën ekonomike, por me promovimin e gjidhënies
Lorina Mixha
Plot 19 për qind e fëmijëve shqiptarë nga Jugu në Veri të vendit rezultojnë të jenë të kequshqyer. Statistikat janë zyrtare dhe u konfirmuan edhe njëherë këtë vit nga Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF. Të njëjtat rezultate u dhanë tre vjet më parë edhe nga studimi demografik i realizuar prej Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik, në bashkëpunim me INSTAT, USAID, UNICEF, AECID, UNFPA, OBSH dhe kooperacioni zviceran.
Përqindja e fëmijëve shqiptarë të ushqyer keq, ka mbetur e pandryshuar këto pesë vitet e fundit.
Rreth 28 për qind e fëmijëve 0 deri në 5 vjeç në zonën e Veriut, si edhe 18 për qind e tyre në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut, nuk kanë parametrat normale të zhvillimit, pasi rezultojnë më të shkurtër se normalja.
Politikat sociale të qeverisë nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me pagesat dhe ndihmën ekonomike për këto familje që duan t’i rrisin fëmijët të shëndetshëm, por për shkak të varfërisë nuk kanë para për t’u ofruar të vegjëlve vakte me vitamina, proteina e karbohidrate.
Pagesat e barrëlindjes në vendin tonë bëhen vetëm për ato nëna që vitin e fundit, para lindjes, kanë qenë të punësuara dhe derdhën rregullisht sigurimet shoqërore e shëndetësore.
Në periferi, në zonat e rurale dhe ato malore, ku kemi numrin më të madh të fëmijëve të kequshqyer, nënat nuk janë të punësuara, madje në familjet e tyre mund të jenë të gjithë të papunë.
Sipas statistikave, për shkak të varfërisë dhe kequshqyerjes, 19 për qind e fëmijëve kanë probleme me parametrat normalë të rritjes fizike dhe mendore.
Studimi i UNICEF-it referoi pak kohë më parë se në vendin tonë vetëm 40 për qind e fëmijëve të moshës nga 0 në 6 muaj ushqehen me qumësht gjiri. Po kështu 55 për qind e foshnjave të moshës nga 6 deri 8 muaj marrin ushqime shtesë. Vetëm një e treta e fëmijëve që lindin çdo vit marrin ushqimet e nevojshme. Për pasojë, 19 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç paraqesin prapambetje në zhvillimin mendor, ndërsa 9 për qind e tyre janë nën normën mesatare të gjatësisë dhe peshës.
Studimet tregojnë se prapambetja në rritje është më e shpeshtë në zonat malore (28%) dhe te fëmijët e familjeve të varfra. Aktualisht, vetëm një e treta e fëmijëve ushqehen në bazë të praktikave të rekomanduara të ushqyerjes.
Një në gjashtë fëmijë paraqet prapambetje në rritje dhe 7 për qind kanë tregues të ulët të peshës për gjatësi.
Rreth 9 për qind e fëmijëve shqiptarë nën moshën 5 vjeç janë më të shkurtër se normalja e gjatësisë që kanë bashkëmoshatarët e tyre. Ndërkohë që 9 për qind e fëmijëve janë më të dobët krahasuar kjo me gjatësinë që kanë. Plot 22 për qind e fëmijëve nën 5 vjeç vuajnë nga mbipesha.
Ushqyerja e shëndetshme e fëmijëve nis që në barkun e nënës, më pas me gjidhënien dhe vijon me konsumin e vakteve normale sipas moshës së fëmijëve.
Ndërsa qumështi i gjirit është natyral dhe mund ta kenë si fëmijët e prindërve të pasur ashtu edhe ata që lindin në familje të varfra, pas mbylljes së etapës së gjidhënies, familjet me financa të dobëta, për shkak të varfërisë, i ushqejnë keq fëmijët.
Veri, 28% e fëmijëve, parametra jo normalë
Sipas statistikave, për shkak të kequshqyerjes dhe mosmarrjes së sasisë së duhur të vlerave ushqimore, rreth 28 për qind e fëmijëve nga 0 deri në 5 vjeç në zonën e Veriut, si edhe 18 për qind e tyre në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut, nuk kanë parametrat normalë të zhvillimit, pasi rezultojnë më të shkurtër se normalja.
Shëndeti Publik
Anemik, për shkak të kequshqyerjes
Zonat problematike: Periferia e Tiranës, Kukësi e Shkodra
Fëmijët që jetojnë në zonat rurale të Qarkut të Kukësit, Shkodrës dhe në periferi të Tiranës janë anemikë si pasojë e kequshqyerjes. Një studim i fundit i Institutit të Shëndetit Publik referon se treguesit më të lartë të kequshqyerjes u vunë re në zonën e Kamzës e Paskuqanit, në familjet e ardhura nga zonat verilindore. “Si pasojë e mungesës së konsumimit të ushqimeve të rëndësishme për shëndetin e tyre, fëmijët e moshës 0-5 vjeç janë përveçse anemikë dhe nënpeshë e më të shkurtër se norma e lejuar për moshën e tyre”, thuhet në studim.
Anemik dhe të kequshqyer rezultojnë të jenë edhe një pjesë e fëmijëve që jetojnë në zonat rurale të Qarkut të Kukësit, Shkodrës. Për të reduktuar pasojat e kequshqyerjes në zonat rurale malore, për fëmijët dhe nënat shtatzëna është menduar zëvendësimi i ushqimeve me vitamina.
Mjekët theksojnë se ushqimi me gji është shumë i rëndësishëm për fëmijën deri në moshën 6 muaj e për këtë arsye ata u kërkojnë nënave të reja të mos e neglizhojnë këtë fakt, kështu ato ndihmojnë në mirërritjen e fëmijës.