Mosha më e vogël e një te mituri të marrë nga prindërit e që ndodhet aktualisht ne Siri, është një vajzë 6-muajshe nga fshati Gurras e Pogradecit, e cila rezulton të ketë lënë Shqipërinë në fund të tetorit 2013, se bashku me nenën e të atin, Krenar.
Jusra Shuli ishte foshnjë e sapo lindur kur la Shqipërinë bashkë me motrat Ermën 7 vjeçe dhe Elonën 11 vjeçe.
Me gjithë apelet e vazhdueshme për t’i sjellë nga Siria 5 nipër e mbesa, shteti ka dështuar të kthejë në Shqipëri fëmijët e çiftit Shuli që të dy të vrarë gjatë luftës.
Gjyshërit e tyre jetojnë për t’i përqafuar edhe njëherë, dhe shpresën se edhe ata do kenë fatin e Eva Dumanit, e cila mbas rrëmbimit nga i ati kur ishte 9 vjeçe, më në fund mbërriti në shtëpi.
Në Siri veç Elonës, Ermës, Jusrës, Suhejbit dhe Ibrahimit që kanë lindur atje llogariten se kanë nevojë për tu kthyer 17 të mitur shqiptarë.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, rrëfen se Abdi ishte 8 vjeç dhe si çdo bashkëmoshatar, sapo kishte nisur shkollën. Lufta ishte diçka e largët që treguar në ekran i ngjante një bote tjetër.
Por fëmijëria e Abdi në Tiranë u ndërpre nga prindërit e tij. Siç ndodhi edhe me të mitur të tjerë, nëna e tij u bashkua me bashkëshortin, duke u larguar drejt Sirisë në atë që e pa si lufta e tij, ndryshe Xhihadi.
“Po në shkollë si gjithë të tjerët ishim si çdo familje në Tiranë, jetonim, babi ishte në punë. Unë isha në shkollë, vëllezërit në kopshte. bëhet fjalë nga vitit 2012 deri në 2013, mbaj mend që babi u largua. Mora vesh që ka ikur në vendet arabe dhe pas gjashtë muajsh diçka e tillë, vendosi dhe mami, flisnin me babi dhe u shpërngulëm edhe ne. Ka pasur ndikim shumë të madh nga njerëzit, besimtarët që u shoqëronte.
Nuk kisha dijeni se ku po shkoja. Fëmijëve nuk u jep kush përgjigje, supozohet se ndjek prindërit. Lloj partish lloj ushtrish, luftëra mes tyre. Po shkove atje burrat luftojnë dhe domethënë doli në mëngjes bashkë ushtrinë edhe u kthye në drekë nga pasditja. Pastaj na thanë që ndërroi jetë, ishte vrarë në luftime”, tha Abdi.
Babai i Abdi, Hamit Muslia gjendet në listën e të vrarëve si luftëtarë të ISIS. I indoktrinuar nga imamë të vetëshpallur dhe që ishin jashtë Komunitetit Mysliman, ai u largua sikurse qindra të huaj mes viteve 2013-2015. Me gjithë operacionet e riatdhesimeve kanë ngecur ende Siri 44 shqiptarë, shumica fëmijë dhe gra.
