Krimi në familje


Shumica e grave të dhunuara në familje nuk kanë informacion se çfarë u ofron ligji


Vali Qyrfyçi


Virgjinush Hasani

Gruaja e vrare ne Elbasan, Virgjinush Hasani


Një pjesë e mirë e grave nuk kanë informacion mbi bazën ligjore që i mbron ato nga dhuna dhe shumë të tjera nuk besojnë në zbatimin e ligjeve në fuqi për mbrojtjen e tyre. Besojnë se janë vetëm në betejën kundër dhunës dhe shpesh ndihen fajtore për këtë. Avokatja Rezarta Agolli pranon se në përgjithësi të dhunuarat jo vetëm kanë shumë pak informacion mbi legjislacionin në fuqi, po edhe kur kanë dijeni janë mosbesuese. Shumica e viktimave të dhunës në familje paraqiten në gjykatë, pasi u janë drejtuar të paktën njëherë organeve të rendit për mbrojtje nga dhunuesi i tyre dhe kur kuptojnë se ajo nuk ka të ndalur i drejtohen gjykatës për divorc. Shumë të tjera në përballje me çmimet e larta që kërkojnë avokatët dhe gjyqtarët përmes shërbimit të ofruar nga psikologët tërhiqen para shkurorëzimit dhe vazhdojnë të durojnë dhunën dhe pasojat e saj në të gjithë familjen. Sipas avokates Agolli, struktura ligjore për mbrojtjen e grave të dhunuara është pothuajse e plotë, pasi vetë Urdhri i mbrojtjes është një garanci, ndërsa ndryshimet e bëra këtë vit në Kodin Penal kanë bërë të mundur që të fillojë procedimi penal për personat që kryejnë dhunë në familje. Në Kodin Penal, me ndryshimet e bëra është shtuar edhe një nen i veçantë që e trajton dhunën familjare si vepër penale dhe e dënon autorin me burgim deri në 5 vjet, në varësi të rrethanave dhe pasojave. Në bazë të tij, rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim deri në dy vjet. Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim gjer në tre vjet. Po këtu parashikohet që plagosja e kryer me dashje dhe që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet. Edhe përsëritja e këtyre veprave dënohet me burgim nga një vit gjer në pesë vjet. Për avokaten Agolli, përfshirja e këtij neni në Kodin Penal duhet të shoqërohet me ndryshime dhe në Kodin e Procedurës Penale, ndryshime të cilat ende nuk janë bërë.


Divorcet dhe dhuna


Të qëndruarit zyrtarisht në çift është kthyer në një problem gjithnjë e më të pranishëm në shoqëri. Durrësi padyshim mund të zërë vendin e parë në shkallë vendi për numrin e lartë të divorceve mbi bazë popullsie, ndërkohë që shumë çifte të reja pavarësisht respektimit të ceremonialeve të bashkimit në çift, fejesës dhe martesës, parapëlqejnë të bashkëjetojnë. Çdo ditë në këndet e njoftimit gjyqësor ndesh një mori seancash gjyqësore me objekt “zgjidhjen e martesës” të bazuara në kërkesën e njërit prej bashkëshortëve për divorc, ndërkohë që ata që më së shumti vuajnë pasojat e tij janë fëmijët. Avokatët me eksperiencë në fushën e çështjeve civile në Durrës pohojnë se numri i divorceve ka ardhur në rritje dhe shpesh këto kërkesa janë të nxituara, pasi kërkuesit e zgjidhjes martesore nuk analizojnë më gjatë pasojat e një divorci për veten dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Të gjithë bien dakord për rastet kur divorci është pasojë e dhunës në familje. Ndër shkaqet kryesore që çojnë zakonisht në zgjidhje martese janë problemet e bixhozit, borxhet e shumta, përdorimi i alkoolit, papunësia, si dhe tradhtitë bashkëshortore. “Këto shkaqe janë faktorët kryesorë edhe të dhunës e cila ushtrohet në mënyrë sistematike, fizike dhe psikologjike mbi bashkëshorten dhe kryesisht psikologjike mbi fëmijët”, pohon Agolli. Shpesh dhe avokatët mbrojtës të një gruaje të dhunuar kanë probleme, reagime nga dhunuesi: “Në sytë e bashkëshortit, avokati shihet si një person i cili është shkaktari i ndryshimit të mospajtimit të gruas me gjendjen e dhunës, që për dhunuesin është gjendje normale, ndërsa në fakt është gruaja e cila duke iu drejtuar gjykatës ka vendosur tashmë të ndryshojë jetën e saj”.


 


Mosbesimi – “Të dhunuarat, jo vetëm që kanë shumë pak informacion mbi legjislacionin në fuqi, por edhe kur kanë dijeni, janë mosbesuese”


Rastet – Shumica e viktimave të dhunës paraqiten në gjykatë, pasi i janë drejtuar të paktën njëherë policisë për mbrojtje nga dhunuesi


Dënimet – Në Kodin Penal, me ndryshimet e bëra është shtuar edhe një nen i veçantë që e trajton dhunën familjare si vepër penale


Motivet – Shkaqet kryesore që çojnë në zgjidhje martese janë bixhozi, borxhet, alkooli, papunësia, si dhe tradhtitë bashkëshortore


 


Ministria e Drejtësisë


Objekti i Ndihmës Ligjore Falas:


a) çështje gjyqësore me objekt regjistrim lindjeje;


b) çështje gjyqësore për pensione pleqërie, pensione invaliditeti, pensione të parakohshme ose


pagesa për personat me aftësi të kufizuar;


c) çështje gjyqësore për heqje zotësie për të vepruar;


ç) çështje gjyqësore për dhënie ndihme ekonomike;


d) çështje gjyqësore për vendosje kujdestarie për fëmijët ose detyrime ushqimore për ta;


dh) çështje gjyqësore të viktimës së dhunës në familje;


e) zgjidhje martese;


ë) çështje gjyqësore për korrigjime të akteve të gjendjes civile etj


h) hartim dokumentacioni për marrje ndihme ekonomike;


i) hartim dokumentacioni për gjendjen civile;


j) hartim dokumentacioni për të përfituar strehim nga shteti;


k) hartim dokumentacioni për fushën e sigurimeve shoqërore, humbjen e aftësisë në punë, çështje të marrëdhënieve të punës ose zgjidhje martese.


Dokumentet për ndihmë ligjore falas:


– Nuk ka pronësi kapitale, me përjashtim të shtëpisë së banimit dhe tokës bujqësore.


– Është i regjistruar si punëkërkues/ i papunë.


– Vërtetim nga zyra e punës;


– Vërtetim nga zyra e tatim-taksave;


– Vërtetim nga zyra e sigurimeve shoqërore;


– Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;


– Vërtetim nga zyra e regjistrimit të automjeteve;


– Vërtetim nga seksionet pranë bashkisë nëse janë subjekte të regjistruara pranë tyre


– Vërtetim nga Inspektorati i Punës, nëse rezultojnë të punësuar informalisht.