Raporti i Ministrisë së Punës tregon se 30% e vajzave të fshatit braktisin shkollën
Shpresa Mezini
Braktisja e shkollës mbetet ende një nga fenomenet shqetësuese në vendin tonë. Vajzat që jetojnë në zonat rurale vazhdojnë ta braktisin në masë shkollën. Të paktën kështu referohet te Raporti Kombëtar mbi Barazinë Gjinore për vitin 2011, ku rezulton se rreth 1 në 3 femra në fshatra të ndryshme nuk e ndjekin arsimin parashkollor apo atë 9-vjeçar. Ndonëse në raport me numrin e femrave që ndjekin arsimin parauniversitar apo atë të lartë, numri i meshkujve është më i lartë, vërehet se në fakultete regjistrohen më pak djem sesa vajza. “Numri i të regjistruarve në shkollat parauniversitare tregon një tendencë graduale në ulje si për vajzat ashtu dhe për djemtë. Në regjistrimin bruto të vajzave në nivelin e arsimit fillor, figurojnë rreth 2-4 për qind më pak se vjet. Në fund të shkollës së mesme përqindja e vajzave që pajisen me diplomë pjekurie është shumë më e lartë se ajo e djemve. Ndërsa të diplomuarat femra në universitetet publike përbëjnë rreth dy të tretën e të gjithë studentëve me kohë të plotë në Shqipëri”, sqaroi Filloreta Kodra, zëvendësministre e Ministrisë së Punës. E megjithatë, bazuar te të dhënat zyrtare të Raportit Kombëtar mbi Barazinë Gjinore, ky nuk është i vetmi problem shqetësues për vendin tonë. Në të konstatohet problematik fakti që edhe pse regjistrohet një numër i konsiderueshëm femrash të arsimuara, shumë prej tyre janë të papuna. Por, edhe ato që janë të punësuara marrin shumë më pak para sesa meshkujt. Në raport thuhet se paga e grave është mbi 17 për qind më e ulët se ajo e burrave. “Pjesëmarrja e meshkujve në tregun e punës ka mbetur pothuajse e qëndrueshme, ndërsa pjesëmarrja e grave ka rënë më shumë, duke rritur hendekun përkatës gjinor. Nga 18.2 për qind në vitin 2007 në 21.5 për qind. Ndërkohë paga mesatare e grave ashtë 17.63 për qind më e vogël se e burrave me të njëjtin nivel arsimor”, theksoi Kodra.
Në raport sqarohet se gjatë dhjetë viteve të fundit është ulur ndjeshëm edhe lindshmëria. Nëse në vitin 2000, mesatarja e lindshmërisë ishte 3,4 fëmijë për një grua, tani ajo është ulur ndjeshëm në 1,5 fëmijë për një grua. Duke iu referuar deklaratës së zv.ministres së Punës, raporti i këtij institucioni do t’u dërgohet të gjitha institucioneve kompetente, me qëllim që të ndryshojnë politikat për të fuqizuar figurën e gruas në vend.
Raporti i Bankës Botërore
Duke iu referuar raportit të Bankës Botërore për vitin 2011 mbi “Mundësitë për femrat dhe meshkujt në Europën në Zhvillim dhe në Azinë Qendrore”, rezulton se femrat në Shqipëri marrin një pagë mesatarisht 35 për qind më të ulët sesa meshkujt. Kështu çfarëdo kualifikimi apo eksperience të ketë një femër, për të njëjtin pozicion pune, një mashkull do të marrë një rrogë më të lartë.
Sipas raportit, Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka një diferencë të tillë në pagesë mes gjinive. “Ballkani Perëndimor, me përjashtim të Shqipërisë, ka një diferencë të pagës mes gjinive në nivelin 20 për qind, çka e vendos atë në një pozicion të njëjtë apo më të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka vende që kanë diferenca ndër më të mëdhatë në botë, siç është Taxhikistani me 65 për qind, ndërkohë që Shqipëria dhe Rusia janë në nivelin 35 për qind”, thuhet në raport. E njëjta situatë paraqitet edhe në punësimin part-time.
“Shumë prej femrave në Shqipëri punojnë part-time, konkretisht në nivelin 65 për qind, ndërsa meshkujt në masën 35 për qind”, thuhet në raport.
Studimi: Rreth 1 në 3 femra në fshatra të ndryshme të vendit nuk e ndjekin arsimin parashkollor apo atë 9-vjeçar
Të dhënat: Femrat e punësuara marrin më pak para sesa meshkujt. Paga e grave është mbi 17 për qind më e ulët se ajo e burrave
Diferenca: Shumë prej femrave në Shqipëri punojnë part-time, konkretisht në nivelin 65 për qind, ndërsa meshkujt në masën 35 për qind