Fenomeni i zbaticës është vërejtur sërish në brigjet e Shëngjinit, ku në pjesën qendrore të plazhit deti është tërhequr rreth 20 metra nga vija e tij e zakonshme.

Tërheqja e ujit ka nxjerrë në pah një hapësirë të gjerë rëre, ndërsa më të dukshme janë bërë edhe ambientet e bizneseve që gjatë sezonit veror ndodhen shumë pranë bregut.

Kjo pamje ka ngjallur interes tek banorët dhe vizitorët, të cilët theksojnë se bëhet fjalë për një dukuri të përsëritur ndër vite në këtë zonë bregdetare. Sipas tyre, zbaticat e tilla shfaqen kryesisht në periudha të caktuara të vitit.

Specialistët e mjedisit e shpjegojnë këtë fenomen me faktorë natyrorë, si luhatjet e presionit atmosferik, drejtimi dhe intensiteti i erërave, si edhe dinamika e masave ujore.

Një situatë e ngjashme është regjistruar edhe më herët në brigjet e Shëngjin-it, rreth tre vite më parë, kur deti u tërhoq në mënyrë të dukshme nga vija bregdetare, duke zbuluar një sipërfaqe të konsiderueshme rëre.

Edhe atëherë, fenomeni u konsiderua si një proces natyror, i lidhur me kushtet atmosferike dhe lëvizjet e masave ujore, duke u përsëritur periodikisht në këtë zonë.

Top Channel