Policia e Fierit ka zbardhur dy raste të zjarrvënies, duke arrestuar një 50-vjeçar dhe proceduar penalisht një person tjetër.
Rasti i parë është evidentuar në fshatin Daullas, ku shërbimet e Policisë kanë kapur pranë vatrës së zjarrit shtetasin me inicialet A. G., 50 vjeç. Sipas autoriteteve, ai kishte ndezur zjarr në tokën e tij me qëllim djegien e shkurreve, por flakët janë përhapur dhe kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi.
Ndërkohë, në fshatin Kreshpan është identifikuar dhe kapur pranë një tjetër vatre zjarri shtetasi me inicialet Q. Y. Ai ka deklaruar se kishte ndezur zjarr për djegien e mbetjeve, por era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve.
Zjarri rrezikoi disa banesa dhe përfshiu një sipërfaqe të madhe me bimësi. Për shkak të moshës, Q. Y. nuk është arrestuar, por ndaj tij ka nisur procedimi penal.
Materialet për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
