Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Rodhopit në Greqi, ku 44-vjeçarja shqiptare Esma Meço dyshohet se u vra me thikë nga bashkëshorti i saj, 53-vjeçari Bujar Meço.
Sipas mediave greke, Esma ishte larguar prej kohësh nga banesa dhe punonte sezonalisht në ishullin Thasos. Ajo ishte kthyer në fshatin Dialambi për të festuar ditëlindjen e vajzës së saj 16-vjeçare.
Por festa familjare u kthye në një tragjedi. 53-vjeçari dyshohet se sulmoi bashkëshorten dhe e goditi me thikë në qafë, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Pas sulmit, djali 19-vjeçar e mori nënën e tij të plagosur dhe e dërgoi në spital, por mjekët nuk mundën ta shpëtonin.
Ndërkohë, vajza 16-vjeçare, e cila ndodhej në një dhomë tjetër, dyshohet se telefonoi autoritetet dhe njoftoi për ngjarjen. Të dy fëmijët janë në gjendje të rënduar psikologjike pas tragjedisë.
Pas krimit, Bujar Meço dyshohet se tentoi t’i jepte fund jetës duke u vetëplagosur dhe duke konsumuar naftë. Ai u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën mbikëqyrjen e policisë.
Në vendngjarje janë sekuestruar dy thika, ndërsa autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Një tjetër detaj tronditës lidhet me të kaluarën e çiftit. Në vitin 2022, në Heraklion të Kretës, Bujar Meço ishte arrestuar pas një kallëzimi për kërcënime në familje ndaj bashkëshortes së tij.
Hetuesit pritet të marrin në pyetje dy fëmijët e çiftit për të zbardhur momentet para krimit dhe dinamikën e saktë të ngjarjes.
