Qindra besimtarë myslimanë janë mbledhur që në orët e para të mëngjesit në stadiumin e Fushë-Krujë për të falur namazin e Kurban Bajramit, në një atmosferë lutjeje dhe solidariteti.

Ceremonia fetare mblodhi besimtarë të të gjitha moshave, ndërsa pjesëmarrja e të rinjve dhe fëmijëve u vlerësua veçanërisht gjatë ligjëratës së mbajtur nga hoxha i Fushë-Krujës, Muharrem Vrana.

Në mesazhin e tij, ai theksoi rëndësinë e besimit, paqes dhe veprave të mira, duke uruar që kjo festë të sjellë më shumë harmoni, begati dhe mirësi për të gjithë familjet shqiptare.

Faljes iu bashkuan edhe besimtarë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, të cilët jetojnë dhe punojnë aktualisht në zonën e Krujës, duke e kthyer ceremoninë në një moment bashkimi dhe feste për komunitetin mysliman.