Pas protestës së parë kombëtare në 22 dhjetor, demokratët kanë shtyrë për në janar revolucionin dhe rrëzimin e qeverisë.
Festat e fundvitit duket se kanë ndryshuar axhendën e opozitës, e cila megjithatë premton se nga fillimi i vitit të ardhshëm kur të dalë në shesh, do ta bëjë atë çdo natë.
Në një takim me simpatizantët e tij në Manëz të Durrësit, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se kryeministri Rama mund të largohet vetëm përmes sheshit.
“Tani duhet të betohemi, ditën e caktuar të zëmë sheshin dhe t’i rikthehemi sheshit çdo natë gjersa të përzëmë atë. Të mos mendojmë se rruga është dhuna, jo. Rruga është qëndresa jonë, sheshet. Sheshi duhet të jetë i yni dhe Edi Rama ikën si mi. Nuk mund të qëndrojë aty. Pra, hyjmë në vitin 2026 me një mision, si misionarë, si fatmëdhenj që kemi mundësi të përmbysim një diktaturë të dytë në Shqipëri”, tha Berisha.
“Dhe unë jam i bindur se populli opozitar, populli i Manzës, i Durrësit e i gjithë Shqipërisë, do të jetë në lartësinë e këtij misioni. Lartësinë e shpëtimit të Shqipërisë, të shpëtimit të opozitës, të shpëtimit të kombit shqiptar, që po rrokulliset në mënyrën më të keqe.
Edhe një herë, gëzuar festat dhe lartësinë e misionit tonë.
Janari, nisim betejën tonë gjer në fitore”, tha ai.
Top Channel
