Kurban Bajrami, festa simbolizon për besimtarët e fesë islame sakrificën e bërë nga njeriu për të fituar faljen, mëshirën dhe shpërblimin e Zotit, po festohet në mbarë Shqipëria. Në Shkodër, në hytben e mbajtur, imam Muhamed Sytari bëri thirrje për reflektim dhe kthim tek vlerat, si dhe respektimin e pronës dhe besimit.

E cilësuar si një ndër festat më të rëndësishme të kalendarit islam, bashkë me Fiter Bajrami, edhe këtë herë falja e Kurban Bajrami në Elbasan u krye në sheshin “Gensher”.

Që në mëngjes, edhe besimtarët në Durrës iu drejtuan Xhamia e Madhe e Durrësit në qendër të qytetit, për faljen e namazit dhe ndarjen e këtij gëzimi me njëri-tjetrin.

Në Dibër, një trevë e njohur për traditat, mikpritjen dhe harmoninë mes njerëzve, Kurban Bajrami vazhdon të ruajë vlerat e tij më të bukura, duke bashkuar njerëzit përtej dallimeve në një falje të madhe në Stadiumi Korabi.

Duke kujtuar rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj atyre që kanë më shumë nevojë, edhe besimtarët në Bulqizë u falën në sheshin e qytetit.

“Sot është dita kur duhet të lëmë mërinë, të largojmë idhnitë dhe të shtrijmë dorën e pajtimit. Kush fal dhe pajton, atij i takon shpëtimi”, tha myftiu i Bulqizës, Sejdin Strazimiri.

Në Korçë, Kurban Bajrami u fal në xhaminë “Iljaz Bej Mirahori”, ku morën pjesë qindra besimtarë myslimanë. E njëjta situatë ishte edhe në xhaminë “Ebu Beker” të Pogradec.

Për më shumë harmoni e paqe u lutën edhe besimtarët e Kukës në dy xhamitë e qytetit. Besimtarët myslimanë në Vlorë e falën namazin në pallatin e sportit “Flamurtari”, ku nuk munguan as besimtarë të huaj.

Namazi i Kurban Bajrami, me lutje për paqe, begati dhe më shumë mirëkuptim mes njerëzve, u fal edhe në Gjirokastër. Me thirrjet për solidaritet e ndihmë për njerëzit në nevojë, Kurban Bajrami u fal edhe në Fier dhe Lushnjë.

Pas faljeve, në një ditë që na kujton se forca më e madhe e një shoqërie qëndron te uniteti, zemërgjerësia dhe gatishmëria për të ndarë me të tjerët, besimtarët në rrethe u shpërndanë për të vijuar festën dhe për të përcjellë mesazhin e saj te familjet dhe të afërmit e tyre.

Top Channel