Organizimi 


Foto me femijetRreth 100 fëmijë të fshatit SOS së bashku me kujdestaret dhe personat që kujdesen për ta kanë festuar ndryshe nga të tjerët ditën e verës.


Edhe pse koha ka qenë në shi, ata kanë qëndruar brenda ambienteve të hotel “Rogner”, institucion i cili ka vendosur në dispozicion stafin për t’u shërbyer vogëlushëve, si dhe organizoi një festë madhështore.


Animatorë, dixhej, muzikë, ëmbëlsira dhe shumë urime për të gjithë fëmijët e fshatit SOS.


“Sot dita e verës është në shi, por këtu brenda ambienteve tona kemi shumë diell për këta fëmijë të mrekullueshëm. I gjithë stafi ynë është në dispozicion për të kënaqur fëmijët, për t’i shërbyer atyre dhe për t’i gëzuar në këtë ditë feste”, tha Ana Maria Taçe, menaxhere marketingu në “Rogner”.


Sipas saj, festa është menduar të jetë në këtë ditë, nisur nga simbolika si ditë e ripërtëritjes, festë e përvitshme e të gjithë shqiptarëve, por kryesisht fëmijëve, të cilët presim me padurim raste për të qeshur, luajtur, kërcyer me animatorë, por për të ngrënë edhe më shumë ëmbëlsira se ditëve të tjera të zakonshme.


Fëmijët e fshatit SOS thanë se këto festa i gëzojnë shumë ata, janë arsye për t’u mbledhur për të kaluar një ditë ndryshe. Por më shumë se çdo gjë tjetër, kjo festë në ambiente me pesë yje ishte edhe më e bukur, pas reshjeve të shiut nga mëngjesi në darkë, të cilat kufizuan festimet, por ulën edhe ritmin e aktiviteteve në qiell të hapur.