Mjeshtri Muntaz Dhrahmi po e “hedh” në bronz. Inaugurimi nga Basha dhe Thaçi
Lorina Mixha
Festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë në Tiranë do të jenë madhështore. Por detajet dhe surprizat më të mëdha pritet të zbulohen pak nga pak. Grupi i punës, i ngritur enkas nga kreu i bashkisë, është hermetizuar dhe nuk kërkon të zbulojë asgjë para kohe. Por gazeta “Shqip” ka mundur të marrë disa detaje lidhur me nisjen e festimeve.
Adem Jashari
Një nga elementet më të rëndësishme të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë do të jetë shtatorja e re në bronz e Adem Jasharit. Ajo do të vendoset në Rrugën e Durrësit, atje ku ndodhet busti i tij, por i amortizuar. Madje, edhe emri i tij është hequr dhe si për ta rregulluar, është menduar të gërvishtet sipërfaqja për të shënjuar emrin. Kjo, jo sipas një rregulli apo estetike të caktuar…
Shtatorja e re e Adem Jasharit do të jetë në bronz. Mjeshtri Muntaz Dhrahmi është edhe përkujdesësi i kësaj shtatoreje, punë e cila i është ngarkuar nga bashkia e kryeqytetit. Konkretisht shtatorja e Adem Jasharit do të inaugurohet me rastin e festës së Pavarësisë, pas datës 26 nëntor. Në ceremoninë e përurimit do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Sipas mjeshtrit Dhrami, shtatorja pothuajse ka përfunduar në baltë dhe ka mbetur për t’i hedhur kallëpin e bronzit për ta bërë gati për përurimin e vitit jubilar.
Adem Jashari në bronz, jo më bust, por shtatore, ka si ideator kryesor kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili pak kohë më parë e ka thënë shkarazi në një nga takimet e tij për të mos prishur kalendarin e të papriturave me rastin e festës së madhe. Shtatorja do të inaugurohet me rastin e festës dhe bashkë me të pritet që për qytetarët e Shqipërisë, dhe të gjithë shqiptarët e trojeve që do të vizitojnë Tiranën, të vendoset për 100-vjetor një shtatore e Ismail Qemalit dhe një tjetër e Ahmet Zogut. Shtatoret e këtyre figurave u vendosën që të ngriheshin në vitin jubilar, me shumicë votash në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak.
Festimet
Qyteti i Tiranës do të shërbejë si kryeqendra e festimeve me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Bashkia Tiranë ka planifikuar dekorimin e qytetit në një mënyrë sa më të veçantë gjithëpërfshirëse dhe madhështore. Në mënyrë që të krijohet një atmosferë sa më festive dhe patriotike, është menduar që të dekorohen të gjitha rrugët kryesore të qytetit, si dhe dy sheshet kryesore të qytetit, përkatësisht sheshi “Skënderbej” dhe sheshi “Nënë Tereza”.
Përtej dekorimit me shirita ceremonialë me ngjyrat dhe logon e flamurit kombëtar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bulevardin “Zogu i Parë”, si dhe në Rrugën e Durrësit dhe në Rrugën e Elbasanit, gjithashtu do të dekorohen me flamuj ceremonialë rrugët, akset kryesore të qytetit dhe institucionet. Rruga e Kavajës, kryqëzimi i sheshit “Wilson”, kryqëzimi te “Zogu i Zi”, kryqëzimi tek “21 dhjetori”, kryqëzimi te “Bërryli”, kryqëzimi te “Vasil Shanto”, kryqëzimi te Pallati me Shigjeta, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, Universiteti Politeknik i Tiranës, ministritë kryesore.
Zbukurimet me ndriçim led
Fondi 160 milionë lekë edhe për dekorimin e Vitit të Ri
Emocionet dhe festimet për vitin jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë do të vazhdojnë edhe me dekorimet për festat e fundvitit, duke shtuar dekorimin e më shumë rrugëve për krijimin e një atmosfere ngazëlluese për të gjithë qytetarët.
Në këtë kontekst do të dekorohet një nga rrugët më të veçanta të qytetit, Rruga e Elbasanit. Dekorimi i kësaj rruge do të përmbajë struktura alumini me forma të lidhura me simbolikën e festës në tredimensional (3D) me ndriçim led, ndryshim i shpejtë ngjyrash. Aktualisht, Bashkia e Tiranës po merr të gjitha masat dhe hapat e nevojshme për festimet e 100-vjetorit me fondet e veta, por Këshilli i Ministrave me VKM të datës 12 tetor për një shtesë në buxhetin e vitit 2012 të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për Bashkinë e Tiranës për dekorimin e qytetit në muajin nëntor me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ka vendosur t’i akordojë bashkisë një fond në vlerën prej 160 milionë lekësh, me qëllim përdorimin e tij për dekorimin e kryeqytetit të Shqipërisë në kuadër të kësaj feste me shumë rëndësi për shtetin shqiptar.
Detaje
Adem Jashari
Lindi në Prekaz, në Rajonin e Drenicës së Kosovës, më 28 Nëntor 1955. Ai është një nga arkitektët kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari ishte kryekomandanti i UÇK-së.
Ai mban titullin “Komandanti Legjendar i UÇK-së”. Titullin “Hero i Kosovës” iu dha atij në vitin 2008 nga Kryeministri i Kosovës.
“Bac, u kry!”
Adem Jashari u bë një simbol i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë, shumë nga të cilët veshën bluza me fotografinë e tij, pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj të dielën, më 17 shkurt të vitit 2008. Në bluzë shkruante “Bac, u kry!”.
Torta 4 tonë – Bashkia e Tiranës dhe kryetari Lulzim Basha, kanë nisur punën për përgatitjen e një torte gjigante, e cila do të peshojë plot 4 tonë
Përgënjeshtrohet therja e 1 mijë deshve e 1 mijë qengjave – Pak kohë më parë u tha se për festimin e 28 Nëntorit të 100- vjetorit të pavarësisë, qeveria do të therte një mijë desh dhe një mijë qengja dhe mishi i tyre i pjekur do t’u serviret të gjithë shqiptarëve. Që do të ketë vizitorë e të ftuar nga Shqipëria dhe mbarë trevat shqipfolëse, të cilat do të jenë bashkë për të festuar këtë ditë të madhe kjo është e vërtetë. Por nuk do të ketë as therje të 1 mijë qengjave e as therje të 1 mijë deshve.
Trafiku
Tiranë, semaforë të rinj në 14 kryqëzime
Brenda kësaj jave do të nisë ndërhyrja në semaforët e 14 kryqëzimeve kryesore të qytetit të Tiranës.
Drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Nereida Hoxha, ka bërë të ditur se ndërhyrjet do të kryhen në kryqëzimet ku trafiku është më i madh dhe më pas do të vijohet me pika të tjera të Tiranës.
“Me fillimin e punës për implementimin e projektit të Qendrës së Kontrollit të Trafikut, do të ndërhyhet në 14 nga kryqëzimet kryesore të kryeqytetit. Këto janë pikërisht ato kryqëzime, të cilat vuanin nga mungesa e kontrollorëve ndër vite, por që kanë edhe defekte të tjera, siç mund të jenë llampadarët apo shtyllat semaforike. Për këto 14 nyje është hartuar projekti i detajuar, është marrë miratimi nga Bashkia e Tiranës dhe kontraktori do të fillojë punën për zëvendësimin e elementeve të prishura brenda kësaj jave”, tha Hoxha.