Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka publikuar një videomesazh të yllit botëror të koreografisë, Angjelin Preljocaj, i cili njofton Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë, duke i ftuar të gjithë qytetarët.

“Mirëmëngjes dhe me ftesën e vetë yllit botëror të koreografisë, shqiptaro-francezit Angjelin Preljocaj, për të marrë pjesë në një festë të vërtetë të vallëzimit modern, në 10 hapësira publike surprizë të kryeqytetit, nga 9 – 25 tetor, ju uroj të diel të qetë”, shkruan kreu i qeverisë në postimin e tij.

Ndërkohë, në videomesazh, Perljocaj thotë:

“Përshëndetje Tirana. Unë jam Angjelin Preljocaj. Jam vërtet i lumtur dhe i nderuar t’ju ftoj në Festivalin e parë Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë që do të zhvillohet nga data 9 deri më 25 tetor. Këtë vit, krahas disa prej shfaqjeve më emocionuese të Europës në Teatrin e Operës, Teatrin Kombëtar, Metropolit, Teatrin e Kukullave dhe skena të tjera, festivali do të hapet edhe për gjithë qytetin, me një shfaqje të re për publikun, falas. Së bashku me kompaninë time, G.U.I.D, do të sjellim vallëzimin pranë njerëzve duke ofruar shfaqje falas në vende të veçanta dhe të papritura në të gjithë Tiranën. Dua të shpreh falënderimet më të përzemërta për MEKI, Bashkinë e Tiranës, Bashkimin Europian, të gjithë mbështetësit tanë dhe mbi të gjitha për ju, qytetarët e Tiranës. Ju jeni arsyeja pse mund të sjellim kaq shumë jetë, lëvizje dhe gëzim në rrugët tuaja. Këtë tetor, le të mbushim së bashku Tiranën me bukurinë dhe energjinë e vallëzimit”.