Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, feston sot 81-vjetorin e lindjes.

Gjatë një mbledhjeje me grupin parlamentar të PD-së, ai është surprizuar me lule dhe ëmbëlsira nga bashkëpunëtorët e tij.

Më herët, Berisha ka publikuar edhe një foto me bashkëshorten e tij, Liri Berisha, duke shprehur mirënjohje për familjen, bashkëpunëtorët dhe të gjithë mbështetësit që i kanë qëndruar pranë ndër vite.

Gjatë mbledhjes së demokratëve, Berisha u shpreh se “Sot e kam nisur ditën me një mesazh mirënjohje të pakufishme ndaj jush, ndaj të madhit Zot, familjes, dashamirësve, miqve dhe të gjithë mbështetësve në këto 35 vite.

Nuk kam fjalim, por unë e di se të gjithë ju këtu, këta gazetarë, kameramanë që i kemi të pranishëm dhe të gjithë ata që na ndjekin, e kanë një pyetje.

Cili është sekreti i këtij njeriu?

Po, Belind, pyesin, cili është sekreti?

Se unë sot shkruajta vjeshtë, por mund të shkruaja edhe pranverë aty.

Por e lashë për modesti ta quaj vjeshtën time.

Nuk kam një sekret, është një dhe vetëm një, është puna, puna dhe vetëm puna.

Edhe njëherë mirënjohje”.