bamja2“Fiks Fare”


Anglezët nuk njihnin as prodhimin, as farat. U premtuan tre mln lekë për dynym, nuk u dukën më


Mbrëmjen e djeshme, emisioni “Fiks Fare” trajtoi mashtrimin e bërë kundrejt një grupi fermerësh. 20 fermerë të Krutjes, Bubullimës, Rremasit dhe Spoliat janë mashtruar nga një firmë angleze “George Holand”, e cila kishte lidhur kontrata me këta fermerë në mbjelljen e perimeve me fara të garantuara. Anglezët u sollën farën dhe asistencën teknike fermerëve. Në muajin mars filloi mbjellja e farave të sjella nga firma “George Holand”. Farat e bamjes dhe të kastravecit indian dhanë prodhimet e para në muajin qershor të 2015-s. Ky prodhim nuk doli në pritshmërinë që priste firma, ndaj ajo nuk u duk më pranë këtyre fermerëve. Saktësisht, bamjet dolën mashkull dhe kastraveci indian filloi të dilte gjashtë muaj pas mbjelljes së tij. Fermerët, të cilët e ngritën shqetësimin e tyre në “Fiks Fare”, tregojnë se kanë mbjellë hektarë të tërë me këto fara, por që i gjithë prodhimi u shkoi dëm. Ata pohojnë se firma testoi farat me anë të tyre, pasi anglezët as nuk e njihnin prodhimin dhe as farat që sollën. Në kontratën që kishin lidhur me shoqërinë angleze “George Holand”, fermerëve u ishte premtuar të merrnin nga tre milionë lekë (të vjetra) për dynym. Deri tani llogaritë e tyre figurojnë bosh, duke mos marrë as edhe një lek. Ata i janë drejtuar departamentit të bujqësisë Lushnjë, nga e cila pajisen me certifikata fino sanitare për prodhimet e tyre dhe që kalojnë nga aeroporti “Nënë Tereza” për në Angli. Gjithashtu, fermerët e mashtruar u janë drejtuar edhe institucioneve të tjera, si Drejtorisë Rajonale të Hetimit Tatimor në Fier, Ministrisë së Bujqësisë, Kryeministrisë. Vetëm nga Kryeministria fermerët kanë marrë një përgjigje, që do t’u zgjidhet problemi, por deri tani asgjë nuk është bërë. Në bashkëpunim me gazetaret e “Fiksit”, fermerët e dëmtuar u takuan me drejtorin e bujqësisë në Lushnjë, i cili shprehet se personalisht nuk ka asnjë përgjegjësi dhe as edhe një lloj autoriteti. Ndihmën e tij në dhënien e informacionit e ka ofruar vetëm në mënyrë shoqërore, pasi ligji nuk ia dikton. Takimin e dytë fermerët e patën me drejtorin e Krimit Ekonomik për Jugun, i cili shprehet se kontrata që fermerët kishin lidhur me firmën angleze nuk e lejonte të ndërhynte. Ai pohon se i ka kërkuar drejtorit të bujqësisë që ta frenojë për t’i dhënë certifikatën e pastërtisë së mallit. Gjithashtu ai tregon se për të kaluar ky mall nga Rinasi janë përdorur fatura fiktive. Fermerët nuk ndalen me kaq, por trokasin edhe në portën e Ministrisë së Bujqësisë. Përfaqësuesi i kësaj ministrie shprehet se procesverbalet janë e drejtë vetëm e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, AKU. Ministria i ka kërkuar AKU-së për të mbajtur procesverbalet përkatëse për çdo shkelje, pasi këta të fundit kanë lejuar që të hyjnë fara të paregjistruara. Ai shprehet qartë se farat që fermerët kanë marrë nga firma angleze, në temperaturën mbi 30 gradë nuk fortifikohen, nuk lidhin frytin. Këto fara, sipas tij, nuk duhet të lejoheshin të hynin në tregun shqiptar dhe për këtë bën fajtor AKU-në që është i vetmi institucion që ka kontroll të plotë mbi kufijtë nga kanë hyrë edhe farat. Edhe Drejtoria e Farërave dhe Fidanëve shprehen se nuk i njohin këto lloje farash dhe se firma angleze “George Holand” duhet t’i verifikonte te kjo drejtori përpara se të bëhej mbjellja. Gjithashtu, “Fiks Fare” për këtë problematikë iu drejtua Autoritetit Ndërkombëtar të Ushqimit. Në përgjigjen e saj, AKU deklaron se nuk është përgjegjësi e tyre për të verifikuar farat që kanë mbjellë fermerët e Krutjes, Bubullimës, Rremasit dhe Spoliat. Pyetjes se prodhimi i parë i këtyre farave është eksportuar me anë të aeroportit “Nënë Tereza”, AKU refuzon të përgjigjet.