Gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë ndaj dy të akuzuarve për grabitjen e ndodhur në një argjendari në qendër të Fierit, në fillim të muajit  korrik. Ndaj 21-vjeçarit Ardit Fejzullahu ( i njohur edhe me emrin Ervin), u mor masa e sigurisë arrest me burg për 30 ditë, ndërsa për bashkëpunëtorin e tij në grabitje, 20-vjeçarin Armando Mita u dha masa arrest me burg pa afat.


Gjatë seancës së sotme, me gjyqtar Ergert Pëllumbin, Fejzullahu nuk ka qenë i pranishëm për shkak se është i plagosur në këmbë nga Mita, pas një zënke që mendohet të kenë pasur për ndarjen e floririt të grabitur në argjendari.


Dy të rinjtë akuzohen për “vjedhje ne bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ata u arrestuan tri ditë më parë nga policia e Fierit, pasi dyshohen si autorët e grabitjes së ndodhur më 5 korrik, në qendër të qytetit të Fierit, ku kanë hyrë të armatosur dhe me maska duke arritur të rrëmbejnë 2 kg flori, për fatin e të cilit ende nuk dihet gjë.


20 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)