Maskat largohen të qetë në mes qytetit me kallashnikov në sup dhe thesin me 2 kg flori
Grabitet në mes të ditës, në mes të qytetit të Fierit, një argjendari, pronari i së cilës ka rënë disa herë pre e maskave të armatosura gjatë viteve të fundit. Ngjarja ka ndodhur dje paradite në bulevardin kryesor të qytetit të Fierit, rreth orës 11:00, duke sjellë panik e terror te qytetarët.
Ngjarja
Nga dëshmitarë okularë të ngjarjes është mësuar se kanë qenë dy persona të armatosur me armë zjarri automatike tip “Kallashnikov”, të cilët kanë hyrë në argjendarinë e emërtuar “Ilija”, pronë e Ilija Kabucit. Në momentin kur grabitësit kanë hyrë në argjendari, aty janë ndodhur pesë klientë. Nën terrorin e armëve dhe kërcënimeve të dy grabitësve të maskuar, klientët kanë dalë menjëherë jashtë, ndërsa pronari dhe punonjësi kanë zgjedhur të qëndrojnë të qetë, duke mos reaguar ndaj agresorëve. Por, në momentin që grabitësit kanë hyrë në argjendari, pronari i saj ka takuar menjëherë sinjalin e alarmit, duke shpresuar që policia të mbërrinte aty. Por, autorëve të vjedhjes me armë u janë dashur vetëm 1 minutë e 25 sekonda që të grabisin rreth 2 kilogramë flori. Ata kanë hyrë prapa banakut, ku njëri prej tyre ka qëlluar me qytë automatiku në hundë punonjësin e argjendarisë dhe kanë mundur të zbrazin bizhuteritë që ndodheshin në katër tabaka. Sipas të afërmve të pronarit të argjendarisë, vlera e floririt të vjedhur mund të jetë rreth 80 mijë USD.
Arratia
Sipas dëshmitarëve, grabitësit janë larguar me shpejtësi me një motor tip skuter, me fuqi jo të madhe, ngjyrë gri. Me automatikët në sup dhe thesin e mbushur me flori, ata kanë mundur të largohen të qetë nëpër qytetin e Fierit, pa ju hyrë gjemb në këmbë. Sipas disa banorëve të qytetit të Fierit, dy djem të dyshimtë të armatosur, njëri prej të cilëve mbante ende maskë në fytyrë janë parë të largohen me motorin në fjalë pranë shkollës nëntëvjeçare “Mark Dashi”, që ndodhet rreth 400 metra larg vendit të ngjarjes. Dëshmitarë në vendngjarje, të cilët nuk kanë preferuar të identifikohen, kanë pohuar për gazetën “Shqip” se forcat e policisë kanë mbërritur aty rreth 15 minuta pasi grabitësit ishin larguar. Sipas dëshmitarëve, njëri prej grabitësve, ai i cili drejtonte motorin, e ka hequr maskën pasi ka dalë nga dyqani dhe sipas përshkrimit ishte rreth 24 vjeç, biond e me flokë kaçurrela.
Policia
Lajmi për grabitjen e ndodhur dje paradite në qytetin e Fierit është bërë me dije edhe nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit. Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se, është vjedhur një sasi floriri në një dyqan argjendarie në pronësi të Ilija Kabucit, që ndodhet në lagjen “Kongresi i Përmetit”. Sipas policisë dyshohet se dy persona të paidentifikuar, me maska, nën kërcënimin e armës, kanë kryer vjedhjen e argjendarisë e më pas janë larguar me një motor. Burimet e policisë shtojnë se po hetohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët kanë ikur në drejtim të paditur. Mësohet se hetuesit kanë sekuestruar pamjet filmike të momentit të grabitjes me qëllim zbulimin e ndonjë elementi që mund t’i lidhë me autorët.
Grabitjet
Familja Kabuci është e disata herë që bie pre e grabitjeve me armë. Për shkak se Ilija ka ngritur një biznes të suksesshëm, ai është vënë në shënjestrën e hajdutëve. Mësohet se disa vite më parë, një hajdut i armatosur me thikë ka hyrë në banesë ku ndodheshin bashkëshortja e tij, dy djemtë dhe e ëma, duke arritur të marrë një sasi të hollash. Ndërkaq, argjendaria e grabitur dje ka qenë objekt i grabitjeve me armë edhe dy herë të tjera, ku janë vjedhur një herë rreth 3 kilogramë flori dhe një herë tjetër gjysmë kilogram. Nga të katër grabitjet e kryera vetëm njëra është zbardhur. Ndërsa dy të tjerat dhe ajo e djeshmja vazhdojnë të mbeten pa autor. Edmond Hoxhaj